Nxënësit e shkollës fillore “Liria” e vizituan Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës





Sot, në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, u zhvillua një vizitë nga nxënësit e shkollës fillore “Liria” të Tetovës, të shoqëruar nga tri mësueset e tyre.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën nderin të priten edhe nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili i përshëndeti dhe u uroi suksese në rrugëtimin e tyre arsimor, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe përkushtimit në ndërtimin e së ardhmes.
Kjo vizitë kishte për qëllim lidhjen e njohurive teorike të lëndës Edukimi shoqëror me përvojën praktike, për t’u ofruar nxënësve mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e sistemit arsimor në nivelin fillor, të mesëm dhe të lartë.
Në fjalën përshëndetëse, prodekania për arsim, Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili theksoi rëndësinë e çdo hallke të arsimit në zhvillimin personal dhe profesional të individit. Ajo nënvizoi se “në arsimin fillor mësojmë bazat dhe njohuritë themelore; në arsimin e mesëm fillojmë të orientohemi drejt prirjeve tona; ndërsa në arsimin e lartë zhvillojmë dhe praktikojmë profesionin që zgjedhim për të ardhmen”.
Ndërkaq, profesoresha, Arbëresha Zenki-Dalipi, shefe e programit studimor Mësim Klasor, realizoi aktivitetin interaktiv “Kush jam unë?”, në të cilin nxënësit, përmes lojës dhe bashkëpunimit, patën mundësinë të njohin dhe të eksplorojnë profesione të ndryshme, duke përjetuar kënaqësi dhe motivim për të ardhmen e tyre.
Atmosfera gjatë takimit u karakterizua me kureshtje dhe entuziazëm nga nxënësit, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shkollave fillore dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Nxënësit e shkollës fillore “Liria” e vizituan Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo