Në futbollin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, një emër po ngjitet me shpejtësi drejt majave.Ai është Nevzat Asani shkruan Tetovasot . Sulmuesi nga Tetova po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me FK Vardar U18, duke dëshmuar se talenti i tij është përtej moshës që përfaqëson.
Që në javët e para të sezonit, Asani ka treguar instinkt të rrallë para portës. Me 15 gola të shënuar deri tani, ai është kthyer në pikë referimi për repartin ofensiv të skuadrës nga Shkupi. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë arritje është fakti se Nevzati është pjesë e gjeneratës U17, por konkurron dhe dominon në një kategori më të madhe që një tregues i qartë i pjekurisë së tij futbollistike.
Kulmi i këtij sezoni erdhi në ndeshjen ndaj FK Makedonija Gjorçe Petrov, ku ai realizoi një tripletë vendimtare, duke e çuar Vardarin në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Në ato momente presioni, ai nuk ishte thjesht një lojtar i ri me potencial por lideri që merr përgjegjësi dhe vendos fatin e ndeshjes.
Një “9” modern me nuhatje vrasëse
Nevzat Asani përfaqëson prototipin e qendërsulmuesit modern. Ai kombinon forcën fizike me lëvizjen inteligjente pa top, një tipar që e dallon nga bashkëmoshatarët. Në shumë aspekte, loja e tij të kujton sulmues klasikë si Erling Haaland për nga instinkti i golit dhe prezenca në zonë, ndërsa në mënyrën si ndërton aksionet dhe lidhet me skuadrën, ka elemente nga loja e Karim Benzema.
Ai nuk është vetëm një “finalizues”. Asani di të hapë hapësira, të tërheqë mbrojtësit dhe të krijojë mundësi për shokët e skuadrës. Shpejtësia në reagim dhe qetësia para portës janë armët e tij më të forta , cilësi që zakonisht shihen tek sulmuesit e niveleve shumë më të larta.
Rrënjët kuqezi që formuan një talent
Rruga e tij drejt suksesit nuk është rastësi. Nevzati është produkt i akademisë së KF Shkëndija, një nga klubet më të njohura për zhvillimin e talenteve në rajon. Pikërisht aty ai hodhi themelet e tij si futbollist, duke përvetësuar disiplinën, teknikën dhe mentalitetin fitues që sot e karakterizon.
Përvoja ndërkombëtare – prova e karakterit
Vitin e kaluar, përmes organizimit të Elite Sports, Asani mori pjesë në një turne prestigjioz në Spanjë. Aty ai jo vetëm që shënoi gola vendimtarë, por edhe u përball me ekipe të forta evropiane, përfshirë RCD Espanyol. Performanca e tij në atë turne konfirmoi se ai nuk është vetëm një talent lokal, por një lojtar që mund të konkurrojë në nivele ndërkombëtare.
Një e ardhme që premton shumë
Në një moshë kaq të re, me një sezon kaq dominues dhe me eksperienca ndërkombëtare në bagazh, Nevzat Asani po projektohet si një nga emrat më premtues të futbollit shqiptar në rajon. Nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk është aspak e largët dita kur do ta shohim në skena më të mëdha evropiane.
Ai nuk është thjesht një golashënues por është një lojtar që ndryshon ndeshje, një lider në formim dhe një emër që po ndërton me meritë rrugën drejt elitës së futbollit.
Rrugëtimi në futboll për Nevzatin:
Nga një ëndërr fëmijërie në një rrugëtim të vërtetë futbolli
Nevzat Asani , një emër që është rritur bashkë me topin. Që nga mosha 6-vjeçare, ai veshi fanellën e KF Shkëndija, duke kaluar plot 10 vite në shkollën e klubit, mes sakrificash, përkushtimi dhe dashurisë së pastër për lojën. Si pjesë e gjeneratës 2009, Nevzati dha gjithçka nga vetja në çdo stërvitje dhe ndeshje, duke ndërtuar themelet e një futbollisti të vërtetë.
Sot, ai nis një kapitull të ri në karrierën e tij te FK Vardar në Shkup, si pjesë e gjeneratës 2008 në kategorinë e kadetëve. Në rolin e sulmuesit qendror, ai vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij me të njëjtin zjarr dhe vendosmëri.
Këtë javë, Nevzati e tregoi veten në skenën më të madhe , në gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë kundër FK Makedonija Gjorçe Petrov, ku FK Vardar triumfoi me rezultat 4:2, ndërsa ai shkëlqeu me një HET-TRIK, duke realizuar tre gola vendimtarë!
Ndryshimet nuk janë kurrë të lehta… të lësh pas një vend ku je rritur si futbollist dhe si njeri kërkon forcë. Por jeta është sfidë, dhe vetëm ata që guxojnë të ecin përpara arrijnë më larg.
Nevzat Asani nuk ndalet ,ky është vetëm fillimi i një rruge të madhe.
Suksese kampion, rruga jote sapo ka filluar! Tetovasot





































