Mori injeksionin për humbje peshe, gruas i nxihet gjuha dhe përfundon duke hequr tëmthin





Një grua nga Irlanda e Veriut ka rrëfyer përvojën e saj tronditëse me injeksionin e njohur për humbje peshe “Wegovy”, pasi përdorimi i tij e çoi me urgjencë në spital, ku iu desh t’i hiqej tëmthi.
​Sarah-Jayne Crawford kishte nisur përdorimin e medikamentit me shpresën për të humbur peshë përpara ditës së dasmës. Por ajo që nisi si një përpjekje për t’u dobësuar, u kthye në një makth shëndetësor pas 12 javësh përdorimi.

​Ajo tregoi se fillimisht nisi të ndiente dhimbje të forta në bark, të shoqëruara me të vjella dhe gogësitje me erë të rëndë squfuri. Megjithatë, shenja që e alarmoi më shumë ishte momenti kur vuri re se gjuha e saj ishte nxirë pothuajse plotësisht, duke marrë një pamje tronditëse.

​Pas dërgimit në urgjencë, mjekët zbuluan gurë në tëmth, të cilët kishin bllokuar kanalet biliare dhe e kishin vendosur në rrezik për pankreatit. Në shkurt të vitit 2025, ajo iu nënshtrua operacionit për heqjen e tëmthit.

​Ironia e gjithë kësaj situate ishte se, pavarësisht komplikacioneve serioze, ajo pothuajse nuk kishte humbur fare peshë.
​Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar vazhdimisht se medikamente si Wegovy, të cilat po bëhen gjithnjë e më popullore edhe në rrjetet sociale, mund të mbartin rreziqe për sistemin tretës. Ndërkohë, kompania prodhuese Novo Nordisk ka deklaruar se këto efekte anësore janë të përfshira në udhëzuesin zyrtar të ilaçit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo