Mickoski: LSDM-ja në mënyrë sistematike përhap gënjeshtra me qëllim që të sigurojë alibi për të mbajtur udhëheqjen aktuale pas humbjes së ardhshme zgjedhore
Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, Kryetari i Qeverisë u ndal te akuzat e opozitës për procesin e integrimit evropian.
“Deklaratat që vijnë nga një pjesë e opozitës, në këtë rast LSDM-së, pa marrë parasysh se kush i dërgon nga udhëheqësia aktuale, janë vërtet konfuze. Do të thosha deklarata të çuditshme që nuk kanë për qëllim të thonë të vërtetën, por të krijojnë sa më shumë sensacion duke përhapur të pavërteta, duke shpresuar që kjo udhëheqje, edhe pas humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mbetet ende në krye. Ata nuk kanë strategji apo komunikim strategjik që synon të krijojë debat konstruktiv dhe përmes tij të ofrojë diçka për opinionin” deklaroi kryeministri.
Sipas tij, opozita këtë e bën në mënyrë sistematike përmes gënjeshtrave.
“Vitin e kaluar përhapën panik se buxheti është bosh, se nuk do të paguheshin rrogat dhe pensionet, se borxhi dhe deficiti buxhetor po rriteshin, por ja që jo vetëm që shteti nuk falimentoi, por përkundrazi, sipas të gjithë parametrave në rajon është një shembull pozitiv. Pastaj dolën me ato konferenca spektakolare për shtyp duke sulmuar marrëveshjen për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar dhe na bindnin se në muajin prill këtu do të kishte migrantë. Muaji prill sot ka ditën e tij të fundit” shtoi Mickoski.
Ai kujtoi se opozita mbante konferenca për shtyp edhe kur ndodhi aksioni në agjencinë e pagesave dhe flisnin për integrime evropiane të bllokuara, ndërsa përgënjeshtrimi erdhi drejtpërdrejt nga Brukseli, të cilët thanë se fondet po çliroheshin dhe e lavdëruan Qeverinë për reagimin në kohë.
“Tani, si e kupton LSDM-ja termin integrime evropiane të zhbllokuara, me ndryshimin e emrit, me heqje dorë nga maqedonasit në anën tjetër të kufirit, me heshtje për faktin që komuniteti maqedonas në Bullgari nuk mund të realizojë as një të drejtë elementare njerëzore për të regjistruar një organizatë joqeveritare, me pranimin që përveç kritereve të Kopenhagës në kornizën negociuese të përfshihen marrëveshje bilaterale dhe madje edhe protokolle, ku kriter bazë për përparimin e shtetit të jetë vendimmarrja e komisionit historik ku diskutohen çështje nga mesjeta. Kështu i imagjinojnë ata integrimet evropiane dhe rrugën e zhbllokuar drejt Evropës”, theksoi kryeministri.
Mickoski paralajmëroi se në periudhën që vijon, komunikimi i cili do të vijë nga foltorja partiake e LSDM-së do të synojë ekskluzivisht krijimin e një alibie që udhëheqja të mbetet pas humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e cila sipas tij do të jetë më e madhe se ajo e fundit.
“Dhe mos u çudisni nëse ata as nuk marrin pjesë fare në ato zgjedhje. Fillimisht do të largohen nga Komisioni për negociatat për Kodin Zgjedhor, pastaj do të largohen nga Kuvendi dhe më pas mund të thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje sepse nuk ka zgjedhje të drejta. Ndërkohë, qeveria teknike do të vlejë për zgjedhjet e ardhshme dhe ata do të mund të propozojnë kandidatë. Me këtë rrezikojnë të humbasin të gjitha mundësitë që u ofrojnë ligjet në Maqedoni, si anëtarë në komisione, në trupat dhe organet zgjedhore, të drejtën për reklamim, anëtarë në KSHZ-së dhe të ngjashme. Nëse kanë vendosur të sillen kështu, ne nuk mund t’i ndihmojmë. Ne duhet të fokusohemi te qytetarët”, konkludoi Mickoski.