Mickoski: Janë siguruar 100 automjete të reja për Postën e Maqedonisë me vlerë prej rreth 2 milionë euro
Sot flasim për një investim të rëndësishëm që nuk nënkupton vetëm automjete të reja, por një fillim të ri, një energji të re dhe funksionalitet të ri për një sistem që për vite me radhë ishte lënë të përballej vetë me sfidat.
Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, realizoi furnizimin me 100 automjete të reja për nevojat e Postës së Maqedonisë. Detajet financiare tashmë i dëgjuat nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit.
Ky nuk është vendim i rastësishëm. Është përgjigje ndaj një nevoje reale. Vjetërsia mesatare e automjeteve me të cilat deri tani ka operuar Posta e Maqedonisë është rreth 15 vjet.
Kjo do të thotë pajisje e vjetruar, defekte të shpeshta, kosto të rritura dhe efikasitet i ulur.
Kjo do të thotë vonesa në dërgesa, pakënaqësi te qytetarët dhe ulje të besimit në sistem.
Ne vendosëm t’i japim fund kësaj.
Ky furnizim është pjesë e një strategjie më të gjerë – të rinovojmë institucionet, të modernizojmë shërbimet publike dhe t’i bëjmë funksionale për qytetarët. Sepse institucionet ekzistojnë për të shërbyer, jo për të kërkuar justifikime.
Me automjetet e reja, Posta do të mund të ofrojë shërbime më shpejt, më efikas dhe më të sigurt për çdo qytetar, në çdo vendbanim dhe për çdo kompani. Do të ulen kostot e mirëmbajtjes, do të rritet produktiviteti dhe shërbimi do të bëhet më cilësor.
Por ky është vetëm fillimi.
Në kuadër të Planit për rritje, punojmë në masa konkrete për të rritur konkurrueshmërinë e postës sonë. Qëllimi ynë është i qartë – të krijojmë një institucion modern, efikas dhe të qëndrueshëm.
Parashikojmë përmirësim të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve dhe ulje të kostove për të paktën 15 për qind. Njëkohësisht, punojmë për përmirësimin e treguesve të përfitueshmërisë, gjithashtu rreth 15 për qind. Kjo do të thotë menaxhim më i mirë, organizim më i mirë dhe rezultate më të mira.
Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve dhe realizimit.
Hasëm në një sistem që për një kohë të gjatë ka funksionuar me investime minimale, me pajisje të vjetruara dhe me efikasitet të dëmtuar. Sot, hap pas hapi, po e rikthejmë në funksion. Po e normalizojmë. Po e modernizojmë. Dhe po e përgatisim për të ardhmen.
Posta e Maqedonisë duhet të bëhet sërish një shërbim ku qytetarët do të kenë besim. Një institucion që do të jetë partner i bizneseve. Një sistem që do të mund t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore, sidomos në kohën e transformimit digjital dhe rritjes së tregtisë elektronike.
Ne nuk premtojmë rrugë të lehtë. Por premtojmë punë, përkushtim dhe rezultate.
Sepse vjen koha kur institucionet do të punojnë për qytetarët.
Po vjen koha kur shteti do të japë rezultate.
youtube.com/live/hD09XeVFcjI?si=parPEYj7ij7n_wBi