MF: FMN-ja thekson dhe përgëzon përpjekjet e Qeverisë për konsolidimin fiskal





1 prill 2026, Shkup – Fondi Monetar Ndërkombëtar i përgëzon përpjekjet e Qeverisë për konsolidimin fiskal dhe uljen e deficitit buxhetor në 3.5% të PBB-së në vitin 2026. Kjo potencohet në raportin e publikuar të FMN-së, pas misionit të rregullt të zhvilluar gjatë dy javëve të fundit, në përputhje me Nenin 4, ku nënvizohet se kjo është e rëndësishme për krijimin e baferëve fiskalë për përballimin e goditjeve ekonomike.

Sipas FMN-së, konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë në periudhën afatmesme dhe deficiti buxhetor të ulet në 2% deri në vitin 2030. Sa i përket të ardhurave, theksohet se përfitime mund të arrihen nga ulja e lirimeve tatimore në bazë të TVSH-së, përforcimit të administratës tatimore, uljes së ekonomisë joformale etj.

Misioni i FMN-së në raport potencon se vendi në vitin 2025 shënoi rritje solide ekonomike dhe rënie të inflacionit. FMN-ja thekson se rritja u përshpejtua në 3.5% në vitin 2025, kryesisht e nxitur nga investimet në ndërtimtari dhe konsumi i fuqishëm privat në kushtet e pagave dhe kreditimit. Inflacioni i përgjithshëm shënoi rënie nga nivel i lartë prej 4.8% në muajin korrik të vitit 2025 në 2.9% në muajin shkurt të vitit 2026. FMN-ja pret që goditja e çmimit të energjisë që rezulton nga konflikti në Lindjen e Mesme, të ndikojë mbi rritjen dhe ta ngadalësojë aktivitetin ekonomik, si dhe ta mbajë inflacionin në nivel lartë për një periudhë më të gjatë. Rritja reale e PBB-së projektohet të ngadalësohet në 3.1% në vitin 2026 dhe t’i përafrohet potencialit të vlerësuar prej 3% në periudhë afatmesme. Sipas FMN-së, zbatimi i fuqishëm i reformave mund të ketë ndikim pozitiv në perspektivën e rritjes ekonomike.

Në raport theksohet se reformat strukturore mund ta rrisin produktivitetin, ta përforcojnë konkurrencën dhe ta mbështesin më shpejt përafrimin e të ardhurave me Bashkimin Evropian. Gjithashtu potencohet se reformat në sektorin enregjetik janë thelbësore për sigurimin dhe furnizimin energjetik, që mundësohet përmes investimeve në infrastrukturën energjetike dhe burimeve të energjisë së riprëtëritshme.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u zbatua në periudhën nga data 18 deri më 31 mars 2026. Konsultimet sipas Nenit 4 të Statutit të FMN-së janë të rregullta dhe zhvillohen një herë në vit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo