Mevlan Ademi i përgjigjet Siljanovskës: Mos dezinformo, në plot shtete provimi i jurisprudencës jepet në dy gjuhë
Studenti i juridikut Mevlan Ademi, sot ka reaguar rreptë ndaj kryetares së vendit Gordana Siljanovska-Davkova e cila mbrëmë nuk e përkrahu kërkesën e studentëve shqiptarë për provim të jurisprudencës në gjuhën amtare.
Kryetarja e cila është juriste me profesion, u arsyetua se përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës mund të ketë “rreziqe”.
““Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, tha ajo.
Ajo u deklarua kundër përdorimit të dygjuhësisë në proceset gjyqësore poashtu.
Por Mevlan Ademi ia kujtoi asaj se përdorimin e gjuhës amtare në provimin e jurisprudencës e kanë të drejtë të garantuar studentët në Finlandë, Zvicër e Belgjikë.
Ademi tha se Siljanovska-Davkova po deformon çështjen tek publiku dhe e ftoi atë të mos bëjë një gjë të tillë.
“Mos e deformoni opinionin publik!,” iu kundërvy studenti Ademi kryetares së vendit.
“Një juriste me përvojë duhet ta di shumë mirë se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme. Praktika ndërkombëtare e dëshmon qartë:
Në Finlandë, provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë: finlandisht dhe suedisht.
Në Zvicër, kandidati zgjedh vetë gjuhën në të cilën testohet.
Në Belgjikë, sistemi funksionon me procedura të ndara sipas gjuhës: flamane ose frënge,” tha përmes një reagimi në Facebook ai.
Ai iu kundërvy asaj edhe për qëndrimin e saj kundër përdorimi të gjuhës shqipe në gjykata.
“Nëse argumentohet se përkthimi në maqedonisht mund të shtrembërojë kuptimin, atëherë ky rrezik është i njëjtë për çdo gjuhë. Po qytetari shqiptar që nuk e zotëron maqedonishten, a nuk vendoset në disavantazh? 🤔 Nëse shqetësimi është cilësia e përkthimit, zgjidhja nuk është kufizimi, por funksionimi i plotë i sistemit edhe në gjuhën shqipe, nga provimi i jurisprudencës deri te procedurat gjyqësore. Nuk jemi përjashtim. Shtetet shumëgjuhëshe funksionojnë mbi parimin e barazisë reale, jo të kufizimit. Dhe pikërisht aty qëndron zgjidhja,” tha Ademi.