Më pak punëtorë, më shumë pensionistë në Maqedoni, revizorët paralajmërojnë: Sistemi tashmë është nën presion
Në Maqedoni numri i personave të moshuar po rritet, ndërsa numri i të rinjve po bie. Kjo situatë po ngre shqetësime serioze për të ardhmen e sistemit pensional dhe atij social, paralajmërojnë revizorët. Raporti i revizionit, i cili do të publikohet nesër, thekson probleme që nuk mund të injorohen, kapacitetet në shtëpitë e të moshuarve janë të kufizuara, ndërsa shërbimet e kujdesit për ta mbeten të pamjaftueshme.
“Për fat të keq edhe aty kemi gjendje dëshpëruese, ku konstatojmë se popullsia jonë po plaket në mënyrë enorme. Kemi rënie të asaj që do të thotë popullsi e re, kemi të dhëna shqetësuese për popullsinë në moshë pune, kemi të dhëna shqetësuese për kapacitetet e akomodimit dhe kujdesin për të moshuarit, si dhe të dhëna shqetësuese për shërbimet që mund të ofrohen për përkujdesje.”, u shpreh Maksim Acevski, kryerevizor.
Sipas Acevskit, nevojiten reforma në sistemin pensional, pasi numri i të rinjve dhe punëtorëve po bie, ndërsa ai i pensionistëve po rritet, një trend që, sipas revizorëve, po thellohet prej vitesh.
“Ekziston nevoja për ndërmarrjen e reformave intensive në sistemin pensional, sepse gjithnjë e më shumë po krijohet një gjendje ku nga njëra anë kemi një numër më të madh përfituesish të pensionit, ndërsa nga ana tjetër kemi një numër gjithnjë e më të vogël të të punësuarve.”, tha Acevski.
Në Maqedoni ka 346.386 pensionistë, ndërsa pensioni mesatar është mbi 27.000 denarë. Në tetor të vitit 2025, numri i përgjithshëm i përfituesve të pensionit arriti në 346.386 persona, sipas të dhënave të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor. Nga ky numër, 71,61% marrin pension pleqërie, 21,22% pension familjar, ndërsa 6,96% pension invalidor.