Mbeturina inerte në hapësirat publike në Tetovë

Krahas uzurpimit të hapësirave publike, shpeshherë hasen qytetarë të cilët hedhin mbeturina të ndryshme shtëpiake në vende jo adekuate

Urim HASIPI

Tetovë, 2 prill – Edhe pse që nga tetori i vitit 2024 në Tetovë është hapur Qendra për grumbullimin e mbeturinave të forta megjithatë nëpër qytet vazhdon të hidhet ky lloj i mbeturinave. Kjo qendër ishte hapur në bashkëpunim me kompaninë “Saubermacher” dhe për qëllim kishte që qytetarët të mos hedhin mbeturinat inerte pranë kontejnerëve. Por, edhe sot e kësaj dite, hidhen mbeturina në sasi të mëdha që e vështirësojnë punën edhe të kompanisë përgjegjëse për bartjen e mbeturinave të amvisërive. Ndërkaq, kohëve të fundit kur qytetarët fillojnë të bëjmë pastrimin e shtëpive, tashmë kjo ka rezultuar që në hapësira publike të vërehen mbeturina të ndryshme, kryesisht mbetje të forta, mobile, pajisje të papërdorshme elektrike e kështu me radhë. Këto mbetje zakonisht qytetarët i lënë pranë kontejnerëve ose në hapësira publike, kryesisht në trotuare. Ndërkaq, një kohë të gjatë kërkohet një bashkëpunim më i madh ndërmjet sektorit joqeveritar dhe Komunës për ngritjen e vetëdijes në këtë drejtim.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shprehet se është i gatshëm që të bashkëpunojë por në një aspekt tjetër, ku nëpër shkolla dhe çerdhe të vendosen kontejnerë për grumbullimin e veshjeve dhe mbetjeve tjera prej tekstili. “Kemi bisedime me grumbullues të tekstilit dhe marrëveshje paraprake me të gjitha shkollat dhe çerdhet. Do të vendosim kontejnerë të veçantë për grumbullimin e veshjeve dhe mbetjeve tjera të tekstilit. Me këtë mendojmë se do të kemi më pak hedhje të këtyre lloje të mbeturinave rreth kontejnerëve”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Ai më tej sqaroi se kjo iniciativë synon të rrisë vetëdijen e nxënësve dhe stafit arsimor për rëndësinë e menaxhimit të duhur të mbetjeve tekstile, duke kontribuar drejtpërdrejt në uljen e ndotjes dhe promovimin e kulturës së riciklimit që në moshë të hershme. Sipas Kasamit, ideja është që nëpër shkolla të ketë vende edhe për hedhjen e mbeturinave nga pajisjet elektronike. Kjo ka të bëjë me paralajmërimet edhe për hapjen edhe një qendre tjetër për grumbullimin e mbeturinave tjera nëpër qytet. Ndryshe, krahas uzurpimit të hapësirave publike, shpesh herë hasen qytetarë të cilët hedhin mbeturina të ndryshme shtëpiake në vende jo adekuate dhe kalojnë pa u ndëshkuar për ndotje të ambientit. Aktualisht në qendrën për grumbullimin e mbeturinave inerte qytetarët mund të dërgojnë mbeturinat e mëdha nga dita e hënë deri të shtunën nga ora 8 deri në orën 16. Për momentin në këtë qendër grumbullohen mbeturina të mëdha kryesisht mbetje nga prishjet e objekteve, plastikë, letra dhe mbetje elektronike. Me vendim të mëhershëm të këshillit të Komunës së Tetovës ata qytetarë që nuk mund t’i dërgojnë mbeturinat deri në qendrën grumbulluese atëherë mund të thirrin autoritetet lokale dhe këta të fundit do të shkojnë që t`i marrin pa asnjë pagesë.

Autoritetet lokale disa herë kanë bërë apel deri tek qytetarët por edhe bizneset e ndryshme që mos hedhin mbeturina të forta në kontejnerë sepse i dëmtojnë edhe kontejnerët por edhe kamionët që bëjnë transportin e mbeturinave tjera, por këto apele vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo