Akuzat e kësaj natyre shpesh bëhen nga ata që kanë dështuar në përgjegjësitë e tyre dhe tani kërkojnë shpërqendrime për ta fshehur atë dështim. Kështu ka thënë presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), Martin Vulaj, ndërkohë që ka komentuar akuzat politike ndaj studentëve që nesër do të protestojnë pasi të njëjtëve nuk u lejohet mbajtja e provimit edhe në shqip të Jurisprudencës.
Ditë më parë, krerët e AARC zhvilluan një takim onaljn me Mevlan Ademin, udhëheqësin e lëvizjes studentore që po avokon për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Bordi i AARC, i udhëhequr nga presidenti Martin Vulaj dhe kryetari i Bordit Ilirjan Rusi, pati mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejt nga Ademi mbi këtë përpjekje dyvjeçare, e cila filloi si një iniciativë e koordinuar mes liderëve studentorë nga disa universitete dhe që më pas është shndërruar në një lëvizje më të gjerë të mbështetur nga qindra studentë të drejtësisë.
“Kërkesa e studentëve është e qartë dhe e bazuar në ligj. Sipas kornizës kushtetuese dhe ligjore – përfshirë dispozitat që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet plotësisht në proceset institucionale. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e përforcon më tej këtë të drejtë. Megjithatë, pavarësisht bazës së qartë ligjore, studentët janë përballur me vonesa të vazhdueshme, qëndrime të paqëndrueshme dhe mungesë vullneti politik për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dhe, akuzat e kësaj natyre, se studentët janë politikisht të organizuar, shpesh bëhen nga ata që kanë dështuar në përgjegjësitë e tyre dhe tani kërkojnë shpërqendrime për ta fshehur atë dështim”, thuhet në njoftimin e AARC-së.
Veçanërisht, është shprehur Vulaj, na ka bërë përshtypje qasja e disiplinuar dhe në mirëbesim e studentëve.
“Për dy vite, ata janë angazhuar me institucionet në mënyrë të qetë dhe konstruktive, duke respektuar kërkesat për të shmangur politizimin. Vetëm pasi kanë shteruar të gjitha kanalet – dhe pasi kanë mbledhur pothuajse 400 nënshkrime nga studentët e drejtësisë, ata e kanë sjellë çështjen në vëmendje më të gjerë publike. Me rëndësi, AARC e ka sjellë këtë çështje në vëmendjen e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, i cili, deri në këtë angazhim, nuk ishte në dijeni për këto zhvillime dhe tashmë po e ndjek nga afër situatën”.
ospërputhja në qëndrimin aktual, sipas AARC, është e dukshme: ndërkohë që provime të tjera profesionale dhe administrative tashmë zhvillohen në gjuhën shqipe, studentëve të drejtësisë, të cilët gjithë arsimin e tyre e kryejnë në shqip, u mohohet e njëjta e drejtë për provimin e jurisprudencës.
“Kjo ngre shqetësime serioze për trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave gjuhësore. AARC mbështet të drejtën e studentëve për protestë paqësore dhe konstruktive, përfshirë demonstratën e paralajmëruar më 6 prill. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje që të gjitha veprimet të mbeten paqësore, të maturuara, të fokusuara dhe në përputhje me objektivin e tyre kryesor: sigurimin e një zgjidhjeje të drejtë dhe ligjore”.
Respektimi i shtetit të së drejtës, qasja e barabartë dhe përfshirja gjuhësore janë vlera themelore perëndimore, janë shprehur krerët e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane.
“Maqedonia e Veriut ka marrë angazhime të rëndësishme në këtë drejtim dhe është thelbësore që këto parime të zbatohen në praktikë. Ne përgëzojmë z. Ademi dhe lëvizjen studentore për këmbënguljen, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj drejtësisë”.