Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka dorëzuar në Kuvend një projektligj me procedurë të shkurtuar për uljen e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) për karburantet.
Deputetja Sanja Llukarevska deklaroi se qëllimi i kësaj nisme është mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe zbutja e presioneve inflacioniste.
Sipas saj, ulja e TVSH-së do të reflektohet drejtpërdrejt në shportën e konsumatorit dhe në nivelin e përgjithshëm të çmimeve, duke reduktuar efektin e rritjes së çmimeve të karburanteve në produktet e tjera.
“Propozojmë ndryshime në Ligjin për TVSH-në që parashikojnë uljen e normës nga 18% në 5% për të gjitha llojet e benzinës dhe karburantet dizel. Kjo do t’i ndihmojë qytetarët të ruajnë standardin e tyre të jetesës”, theksoi Llukarevska.
Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë ka ndërmarrë masa për uljen e TVSH-së për derivatet nga 18% në 10%. Pas rritjes së çmimeve dhe kritikave publike, ekzekutivi vendosi gjithashtu edhe për uljen e akcizës së naftës.
Nisma e LSDM-së pritet të hapë debat në Kuvend lidhur me masat për përballimin e krizës së çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.