Lajm i mirë për Al-Nassrin dhe Portugalinë, rikthehet Ronaldo

Rikthimi i Cristiano Ronaldos tashmë është realitet dhe ka rikthyer entuziazmin te tifozët.

Pas disa javësh pasigurie për shkak të një dëmtimi në kofshë, kapiteni i Al-Nassr ka përfunduar rehabilitimin dhe është gati të rikthehet në fushë.

Sipas Fabrizio Romano, Ronaldo pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e 3 prillit kundër Al-Najma në kuadër të Saudi Pro League.

Ylli portugez ishte dëmtuar gjatë fitores 3-1 ndaj Al-Fayha më 28 shkurt dhe u detyrua të largohej nga loja.

Si pasojë, ai humbi ndeshjet kundër Neom dhe Al-Khaleej, si dhe mbeti jashtë grumbullimit të Portugalisë për miqësoret ndaj Meksikës dhe SHBA-së.

Pas rikuperimit në Madrid dhe Riad, 41-vjeçari është gati jo vetëm për t’u rikthyer, por edhe për të vazhduar ndjekjen e objektivit të madh – arritjen e 1000 golave në karrierë. Aktualisht ai ndodhet në kuotën e 965 golave.

“Cristiano Ronaldo është grumbulluar dhe është i gatshëm për të luajtur nesër pas një muaji mungesë,” konfirmoi Romano.

Rikthimi i tij është një lajm i madh për Al-Nassr, që në fazën vendimtare të sezonit rikthen golashënuesin dhe liderin e ekipit.

Me 8 ndeshje të mbetura, skuadra e drejtuar nga Jorge Jesus kryeson me 67 pikë, e ndjekur nga Al-Hilal me 64 dhe Al-Ahli me 62.

Ky zhvillim është pozitiv edhe për Portugalinë, në prag të Botërorit 2026, që mund të jetë i fundit në karrierën e Ronaldos.

Portugalia ndodhet në Grupin K së bashku me Kolumbinë, Uzbekistanin dhe RD Kongon, dhe synon të ketë kapitenin në formën maksimale.

Me rikthimin e tij, Ronaldo ka rikthyer jo vetëm shpresën te tifozët, por edhe ka treguar se vazhdon të synojë rekorde dhe histori të reja në futboll.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo