Çmimet e naftës kanë pësuar një rënie drastike të mërkurën në tregjet botërore, duke reflektuar lehtësimin e investitorëve pas shpalljes së një armëpushimi dy-javor midis SHBA-së dhe Iranit. Ky lajm ka sjellë qetësi në tregje, pasi hap rrugën për normalizimin e kalimit në Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Rënie rekord brenda ditës
Në tregun e Londrës, çmimi për fuçi ra me mbi 14 dollarë krahasuar me ditën e djeshme, duke u tregtuar me 94.56 dollarë. Në tregun amerikan, rënia ishte edhe më e ndjeshme, me mbi 17 dollarë, ku një fuçi naftë tashmë kushton 95.63 dollarë.
Trump dhe Irani ulin tensionet
Vetëm pak orë para skadimit të afatit që SHBA i kishte vendosur Iranit për hapjen e Hormuzit, Presidenti Donald Trump njoftoi armëpushimin dy-javor. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abas Arakchi, konfirmoi se anijet do të mund të lëvizin lirshëm nëpër ngushticë në koordinim me ushtrinë iraniane.
Aktualisht, rreth 10 deri në 13 milionë fuçi naftë në ditë janë të bllokuara në Gjirin Persik, por pritet që lëvizja e tyre të fillojë gradualisht gjatë ditës së enjte ose të premte.
Lajme pozitive edhe për naftën (dizelin) në Evropë
Lajmi për armëpushimin ka “ulur temperaturën” edhe në tregun e djegur të naftës në Evropë. Çmimi i një toni naftë ra me 306 dollarë brenda pak orësh, duke zbritur në 1,221.75 dollarë. Ky është një sinjal i drejtpërdrejtë se çmimet në pikat e karburantit pritet të ulen së shpejti edhe në rajonin tonë.
Sytë nga Pakistani
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë pritet të takohen në Pakistan për të biseduar për një paqe të qëndrueshme dhe heqjen e mundshme të sanksioneve e tarifave. Ndërkohë, rafineritë e mëdha aziatike (nga India dhe Kina) dhe kompanitë gjigante si TotalEnergies dhe Glencore kanë filluar menjëherë interesimin për ngarkesat e reja të naftës nga Gjiri Persik