Kur një bashki ndalon librin, nuk mbron institucionin. Mbron frikën e vet

Nga Arian Galdini

Iu drejtova Bashkisë së Kuçovës me një kërkesë zyrtare për të mundësuar promovimin e librit tim Neoshqiptarizmi në Bibliotekën e qytetit.

Kërkesa ishte e rregullt. Objekti ishte i pastër. Një libër. Një autor.
Një bibliotekë publike.
Një veprimtari kulturore. Kaq.

Përgjigjja që mora nuk është thjesht refuzim. Është akt karakteri.
Është prova e një mendësie.
Është një dokument ku pushteti vendor, pa britmë, pa sharje, pa histeri, rrëfen vetë se çfarë duron dhe çfarë nuk duron.

Dhe ajo që nuk duron është e qartë, nuk duron autorin e lirë, librin e lirë dhe qytetarin që hyn në hapësirën publike pa u përkulur.

Le ta them drejt.
Përgjigjja e Kryetarit të Bashkisë së Kuçovës është arbitraritet, paragjykim dhe përjashtim i maskuar me gjuhë zyrtare.

Shkresa e bashkisë mbështetet mbi pretendimin se unë ushtroj funksion drejtues politik.
Ky pretendim është i pavërtetë.
Dorëheqja ime është publike.
Kalimi i drejtimit është publik.
Faktet janë publike.

Kjo do të thotë se refuzimi nuk ngrihet mbi realitetin, por mbi një status të rremë.

Një institucion që merr vendim mbi bazë të rreme nuk po zbaton ligjin.

Po improvizon pushtet mbi gënjeshtër.

Këtu nuk kemi më të bëjmë me gabim teknik. Këtu kemi zgjedhje.
Sepse kur një zyrë vendos të mos shohë faktin që i prish skemën, ajo nuk gabon më. Ajo manipulohet nga vullneti për të mos lejuar.

Më pas vjen shtrembërimi i dytë, edhe më i rëndë. Bashkia nuk ndalon një miting.
Nuk ndalon një mbledhje partie.
Nuk ndalon një aktivitet elektoral.
Bashkia ndalon promovimin e një libri.

Dhe për ta bërë këtë, ajo barazon librin me partinë, autorin me funksionin, veprimtarinë kulturore me ngjarjen politike.

Ky nuk është keqlexim.

Ky është deformim i drejtpërdrejtë i objektit.

Një promovim libri nuk bëhet politik nga bindjet e autorit.

Nuk bëhet politik nga historia e tij publike.

Nuk bëhet politik nga bezdia që një kryetar bashkie ndien përballë emrit të tij.

Përndryshe, çdo bibliotekë publike do të duhej të kthehej në zyrë filtrimi, çdo autor me mendim do të bëhej problem dhe çdo qytetar me zë do të duhej të futej në katalogun e të padurueshmëve.

Kjo nuk është demokraci.

Ky është filtër ideologjik me vulë bashkie.

Pika më e rëndë e gjithë kësaj historie rri te vetë formulimi i shkresës.

Aty thuhet se nuk lejohen veprimtari me karakter politik, si edhe pjesëmarrja apo promovimi i individëve që ushtrojnë funksione drejtuese në subjekte politike.

Kjo fjali është skandaloze jo vetëm për atë që ndalon, por për mënyrën si mendon.

Nuk provon asgjë.

Nuk thotë cili element i aktivitetit e bën politik.

Nuk thotë cili program, cili subjekt, cili slogan, cili qëllim elektoral, cili akt organizativ e mbështet atë përfundim.

Nuk jep fakt. Nuk jep provë.

Nuk jep arsyetim. Etiketon.

Nuk gjykon natyrën e veprimtarisë.

Gjykon personin dhe, mbi personin, shpall natyrën e veprimtarisë.

Rendi i drejtë do të ishte i thjeshtë, çfarë është aktiviteti, a ka elemente reale politike, a ekziston bazë ligjore për kufizim, a është kufizimi proporcional.

Bashkia bën të kundërtën, kush është autori, si e lexojmë ne, prandaj ndalohet.

Ky është inversion logjik dhe juridik. Biblioteka nuk po vlerëson librin.

Po vlerëson njeriun dhe po përdor njeriun për të vrarë librin.

Shkresa nuk kufizon vetëm aktivitetin.

Shtrihet deri te pjesëmarrja.

Kjo do të thotë se çështja nuk qenka vetëm libri.

Çështja qenka vetë prania e autorit.

Në këtë pikë bie çdo alibi.

Institucioni nuk po shqyrton më një kërkesë konkrete.

Po vendos regjim përjashtues mbi personin. Po e trajton hyrjen e qytetarit në bibliotekë si shkak ndalues.

Kjo është censurë administrative në formën e saj më të pastër.

Këtu mbaron çdo fjalë e butë.

Një bibliotekë që fillon të kontrollojë autorin para librit nuk është më bibliotekë.

Është derë ndalimi.

Nuk pyet më, çfarë libri po hyn?

Pyet, kush po hyn?

Dhe sapo pyetja zhvendoset nga vepra te personi, institucioni ka hyrë në territorin e censurës.

Fjala “paanshmëri institucionale”, në këtë rast, nuk shpëton askënd.

Përkundrazi, e turpëron edhe më shumë aktin.

Paanshmëria është parim i drejtë.

Por paanshmëria nuk ruhet duke mbyllur derën ndaj autorit.

Nuk ruhet duke shpallur si politik një aktivitet kulturor pa e provuar.

Nuk ruhet duke marrë një status të pavërtetë, duke e kthyer në etiketë dhe mbi etiketën duke prodhuar përjashtim.

Paanshmëria pa të vërtetë faktike nuk është paanshmëri.

Është arbitraritet me vulë.

Është frikë e veshur si rregull.

Është pushtet i vogël që i jep vetes të drejtë të filtrojë mendimin.

Kjo e bën rastin e Kuçovës më të rëndë se sa duket.

Sepse ai nuk flet vetëm për një kryetar bashkie.

Flet për një lloj pushteti të shpërndarë në gjithë vendin.

Një pushtet të vogël, provincial, nervoz, që flet me fjalor republike dhe mendon me refleks komiteti.

Një pushtet që nuk trembet nga padija, por nga mendimi.

Një pushtet që nuk skuqet nga varfëria e vet kulturore, por dridhet nga fjala që nuk kontrollon.

Një pushtet që nuk e sheh bibliotekën si strehë të dijes, por si territor që duhet ruajtur nga autori i padëshiruar.

Prandaj ky episod është më i madh se vetë Kuçova.

Shqipëria flet çdo ditë për Bashkimin Europian.

Edi Rama flet për cluster-a, për negociata, për standarde, për samite, për modernizim, për diasporë, për vend të zhvilluar.

Në ekran dëgjon gjuhën e hapjes.

Në terren sheh dorën e ndalimit.

Në samit flitet anglisht.

Në zyrë mendohet ende në gjuhën e ndalimit.

Ky është kontrasti që e zhvesh propagandën deri në kockë, dekor europian në sipërfaqe, refleks censorial në funksion.

Qyteti Stalin nuk quhet më Qyteti Stalin. Quhet Kuçovë.

Mirëpo emri i ri nuk e shuan vetvetiu mendësinë e vjetër.

Dhe kur një bashki ka frikë nga hyrja e një libri në bibliotekën e qytetit të vet, çështja nuk është libri.

Çështja është pushteti që nuk ka mësuar ende të jetojë pa rolin e censorit.

Biblioteka publike ekziston pikërisht sepse shteti nuk ka të drejtë të zgjedhë cilat bindje janë të pranueshme dhe cilat jo.

Ajo ekziston që qyteti të jetojë me librin, me mendimin, me dallimin, me autorin, me lirinë.

Në çastin kur biblioteka përjashton autorin, qyteti hyn prapë në frikë.

Vetëm frika e bën një promovim libri të duket si rrezik.

Vetëm frika e bën praninë e autorit të duket e padurueshme.

Vetëm frika e kthen bibliotekën nga shtëpi e librit në zgjatim të zyrës.

Dëmi nuk ndalet te një njeri dhe nuk mbaron te një qytet.

Sot përjashtohet një autor.

Nesër një studiues.

Pasnesër një gazetar.

Pastaj kushdo që nuk i pëlqen mjaftueshëm zyrës.

Kështu dëmtohet demokracia, jo vetëm nga një diktator i madh, por edhe nga një administrator i vogël që e ngatërron funksionin me të drejtën për të filtruar mendimin.

Unë nuk kërkova privilegj.

Nuk kërkova trajtim të posaçëm.

Nuk kërkova asgjë jashtë ligjit.

Kërkova vetëm këtë, që libri të trajtohet si libër, autori si autor dhe qytetari si qytetar i lirë.

Përgjigjja që mora nuk refuzon vetëm një kërkesë.

Refuzon vetë këtë dallim.

Dhe pushteti që humb këtë dallim e ka humbur tashmë masën e vet.

Një demokraci nuk dëmtohet nga libri që hyn në bibliotekë.

Dëmtohet nga frika që e mban librin jashtë saj.

Çështja nuk është autori.

Çështja është pushteti që, për të ruajtur rehatinë e vet, është gati ta kthejë bibliotekën nga strehë e librit në derë përjashtimi.

Arian Galdini

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo