Më vjen mirë që përmes INOVA-s po e forcojmë bashkëpunimin me universitetet, sepse pikërisht komuniteti akademik është shtytësi kryesor i dijes, inovacioneve dhe përparimit të përgjithshëm shoqëror. Besoj se së bashku do të ndërtojmë një sistem më cilësor të arsimit të lartë, do të krijojmë më shumë mundësi për arritje shkencore e teknologjike dhe do të zhvillojmë kuadro të gatshme që do t’iu përgjigjen sfidave bashkëkohore.
Kështu u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, gjatë nënshkrimit të memorandumit të sotëm të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë për Mbështetjen e Inovacioneve, Ndërmarrësisë dhe Zhvillimit Shkencor-Teknologjik dhe gjashtë universiteteve shtetërore, qëllimi i së cilës është krijimi i përbashkët i projekteve inovative, lehtësimi i qasjes në burime financimi dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë.
“Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e universiteteve. Vendosim një kornizë të re ligjore, me më shumë mundësi për stimulimin e punës së komunitetit akademik dhe shkencor. Sigurojmë investime të vazhdueshme në arsimin e lartë, shkencë dhe hulumtime, e cila dëshmohet përmes mjeteve, që ndahen nga buxheti shtetëror”, tha Janevska, duke theksuar se vetëm vitin e kaluar janë ndarë 6 milionë euro për mbështetjen e projekteve inovative të institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shkencore, të ASHAM-së dhe kompanive, të cilat janë në korrelacion me objektivat e Strategjisë për specializim intelegjent të Maqedonisë.
Kjo strategji përsëri, shtoi ministrja, i përcakton qartë fushat prioritare për zhvillim. Ajo shprehu pritshmëri se universitetet, si dhe komuniteti i biznesit, të gjithë do të angazhohen në mënyrë aktive dhe ta orientojnë punën e tyre shkencore dhe kërkimore, pikërisht drejt këtyre fushave, ku potenciali për përparim është më i madh.
Në këtë ngjarje, përveç drejtoreshës së INOVA-s, Daniela Dimovska, u drejtuan me fjalë rasti edhe gjashtë rektorët e universiteteve shtetërore, si dhe kryetari i Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski.
