Shkëndija U16 ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në garën për titull, duke mposhtur sot në Tetovë skuadrën e Pelisterit nga Manastiri me rezultat 2:1. Heroi i ndeshjes ishte edhe njëherë Ajet Rexhepi, i cili realizoi të dy golat për kuqezinjtë dhe konfirmoi formën e jashtëzakonshme që po kalon këtë sezon informon Tetovasot.
Me këto dy realizime, Rexhepi ngjitet në kuotën e 23 golave të shënuar, duke zhvilluar një kampionat fantastik dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ismail Ismaili tregoi karakter dhe pjekuri në lojë, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit dhe duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion. Kuqezinjtë po zhvillojnë një sezon brilant dhe gjithnjë e më shumë po e konfirmojnë veten si pretendentët kryesorë për trofeun.
Ismail Ismaili: Jemi në rrugën e duhur
Pas ndeshjes, trajneri Ismail Ismaili u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij:
“Jam shumë i kënaqur me angazhimin dhe disiplinën e lojtarëve. Pelisteri është një skuadër e fortë, por ne treguam karakter dhe cilësi. Jemi në rrugën e duhur dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim deri në fund për të arritur objektivin tonë – titullin kampion.”
Ajet Rexhepi: Falënderoj skuadrën
Ndërkohë, protagonisti i ndeshjes Ajet Rexhepi tha:
“Jam shumë i lumtur për golat dhe për fitoren. Kjo është meritë e gjithë skuadrës dhe stafit. Do të vazhdojmë të japim maksimumin për ta mbyllur këtë sezon me titull.”
Shkëndija U16 me këtë fitore vazhdon marshimin drejt titullit kampion, ndërsa forma fantastike e ekipit po bëhet një nga armët kryesore të kuqezinjve në këtë sezon brilant.TS