Heshtja institucionale në funksion të mbulimit të dështimit

Këto ditë në Shkup Dijaneti i Turqisë mbajti Samitin e 10 të kryetarëve të
bashkësive fetare islame të shteteve të Ballkanit. A mori vesh dikush për këtë
event?

Nga Mr. Eset Shaqiri

Nën një fshehtësi të pakuptimtë dhe të pajustifikueshme, pa praninë e asnjë mediumi,
pa një kumtesë të vetme zyrtare, pa transparencën minimale që kërkon një ngjarje
ndërkombëtare, në Shkup u mbajt Samiti i 10-të i Kryetarëve të Bashkësive Fetare
Islame të vendeve të Ballkanit, i organizuar nga Dijaneti i Turqisë dhe i “mikpritur” nga
BFI-ja në RMV.
Një ngjarje që dikur ishte platformë për përfaqësim institucional dhe komunikim publik,
këtë herë u shndërrua në një operacion të mbyllur, thuajse konspirativ. Asnjë njoftim
paraprak. Asnjë shenjë publike. Asnjë përpjekje për të përfshirë opinionin. Asgjë. Një
heshtje që nuk flet për seriozitet, por për frikë, për frikë nga llogaridhënia, frikë nga
transparenca, frikë nga vetë publiku që supozohet se përfaqësohet.
Në samitin e parë, institucionet shtetërore e trajtuan këtë ngjarje siç i takon: presidenti
mbajti fjalim, kryeministri priti delegacionet. Kishte dinjitet, kishte protokoll, kishte
mesazh. Sot? Një aktivitet që zhvillohet në errësirë, sikur të ishte një ngjarje që duhet
fshehur e jo promovuar.
Kulmi i absurdit vjen me të ashtuquajturin “informim”: një fjali e thatë, e hedhur në
errësirën e natës, ku aktiviteti reduktohet në një pritje protokollare me “atmosferë të
lartë institucionale”. Pra, sipas tyre, ngjarja nuk është samiti, por darka. Nuk është
përmbajtja, por dekorimi. Nuk është dialogu, por fotografia. Nuk është organizimi, por,
pritja dhe akomodimi!
Faqja zyrtare e BFI-së, një hapësirë që duhet të jetë arkiv institucional dhe pasqyrë e
përgjegjësisë publike, është një shkretëtirë informative. Asnjë histori e samitit. Asnjë
sqarim mbi qëllimin. Asnjë listë pjesëmarrësish. Asnjë temë diskutimi. Asnjë konkluzion.
Asgjë që do t’i jepte kuptim një aktiviteti të këtij niveli. Heshtje totale.
Në vend të informacionit, publikut i servohet një galeri fotografish: 141 copë, dhe disa
video të gjata pa kontekst. Një teatër vizual për të maskuar zbrazëtinë përmbajtësore.
Një propagandë e zhveshur nga çdo substancë.

Por problemi nuk është vetëm te kjo ngjarje. Problemi është konceptual. Sepse një
samit, në vetvete, nuk është një tubim formal për t’u kryer “sa për sy e faqe”. Një samit
është një instrument politik, kulturor dhe institucional i komunikimit të ideve, i ndërtimit
të qëndrimeve të përbashkëta dhe i prodhimit të mesazheve publike. Ai nuk është
vetëm një takim, por, mbi të gjitha, është një deklaratë. Dhe çdo deklaratë, në mungesë
të komunikimit, bëhet një heshtje që flet kundër vetvetes.
Në botën bashkëkohore, një samit nuk ekziston pa PIA-rin e tij. Marrëdhëniet me
publikun nuk janë një shtesë kozmetike, por thelbi i funksionimit të një eventi të tillë. Një
samit i organizuar siç duhet fillon me njoftime paraprake, me agjendë të qartë, me
transparencë mbi temat, pjesëmarrësit dhe qëllimet. Vazhdon me mbulim mediatik,
konferenca për shtyp, deklarata të ndërmjetme. Dhe përfundon me konkluzione të
artikuluara, dokumente publike, mesazhe të qarta për opinionin.
Sepse opinioni publik nuk është një spektator i padëshiruar, ai është adresuesi kryesor.
Një samit që nuk komunikon me publikun është një samit që nuk ekziston. Një ngjarje
që nuk prodhon informacion është një ngjarje që nuk prodhon kuptim.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një përmbysje të plotë të logjikës së komunikimit:
informacioni zëvendësohet me imazh, përmbajtja me formë, transparenca me heshtje.
Dhe kjo nuk është thjesht paaftësi, është një strategji. Një strategji për të kontrolluar
perceptimin duke fshehur realitetin dhe, për ta shpërfaqur një event sa për sy e faqe,
tërësisht të dështuar.
Dhe ndërkohë që publiku mbahet në errësirë, “misioni” i vërtetë duket se është
përmbushur me përpikëri: shpenzime të dyshimta, manipulim fondesh, abuzim me
organizimin, ndërhyrje në institucionet arsimore të BFI-së të cilat u detyruan të
mobilizohen për të mbushur një sallë që, ironikisht, mbeti gjysmë bosh. Një metaforë e
përkryer e këtij samiti: shumë zhurmë për asgjë, shumë forma për një boshllëk të madh.
Kjo është pika ku kritika nuk është më një zgjedhje, por, është një detyrim. Sepse kur
institucionet fetare, që pretendojnë të jenë bartëse të etikës dhe moralit, operojnë në
errësirë, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një dështim organizativ, por me një krizë
të thellë të besueshmërisë.
Kur një institucion e shmang publikun, ai në fakt e pranon se nuk ka çfarë t’i thotë atij.
Kur një samit zhvillohet në fshehtësi, ai në fakt pranon se nuk ka asgjë për të
komunikuar. Dhe kur mungojnë konkluzionet, atëherë është e qartë se mungon edhe
përmbajtja.
Sepse, në fund, nuk është publiku që nuk u ftua. Është e vërteta ajo që u përjashtua.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo