Halil Snopçe
Aleksandar Nikollovski dhe Mickovski e kanë makth Arben Taravarin, në maqedonisht thuhet “noćna mora”. Sipas tyre, Arbeni është përgjegjës edhe për pesë tonë marihuanë që paska kaluar kufirin.
Nikollovskit i thashë: ne e dimë shumë mirë kush je dhe çfarë përfaqëson. Ti ke qenë bashkëpunëtori kryesor i Gruevskit në kohën e regjimit, kur shteti ishte i kapur. Kur drejtësia ishte e kapur, kur përgjohej masivisht, mijëra qytetarë, gazetarë, opozitarë e diplomatë. Kur u bë kërdia me institucionet e shtetit.
I thashë gjithashtu: ti je ndër bashkëpunëtorët më të afërt edhe të këtij regjimi të ri, me në krye Hristijan Mickovskin. Antishqiptarizmin tënd po përpiqesh ta manifestosh edhe përmes ndryshimit të trasës së Korridorit 8, vetëm që ai të mos kalojë kah kufiri me Shqipërinë.
Ti mendon se drejtësia funksionon me telefonata, ashtu siç ka funksionuar tek ne. Mendon se edhe në shtetet tjera gjërat bëhen njësoj si në Maqedoni, ku një kryeprokuror i ri për dy ditë bën kërdinë në sistem.
Nuk të konvenon një model ku shtetet ndërtojnë institucione me drejtësi të pavarur, ku drejtësia çlirohet nga politika. Sepse tek ti, edhe sot, me Mickovskin, vazhdon e njëjta mënyrë funksionimi si në kohën e Gruevskit.
Ti je konstanta e regjimeve në këtë vend, nga regjimi i Gruevskit, në këtë që po ndërtohet sot. Nuk e di sa herë ke shkuar në Hungari dhe vazhdon ta kesh mentor Gruevskin, edhe pse sot je krah Mickovskit.
Prandaj të thashë: informohu nga burime të sigurta, jo nga korridore të errëta.
Sepse dallimi mes një shteti të së drejtës dhe një shteti të kapur është i qartë: në të parin, politika i shërben drejtësisë; në të dytin, drejtësia i shërben politikës.