Një zhvillim i ri ka tensionuar sërish situatën në Lindjen e Mesme, vetëm pak orë pas arritjes së një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas raportimeve, Irani ka goditur tubacionin Lindje–Perëndim në Arabinë Saudite, një linjë jetike për eksportin e naftës së mbretërisë.
Ky tubacion ishte kthyer në rrugën kryesore të furnizimit pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit për shkak të konfliktit.
Sulmi ka prekur një pikë kyçe të infrastrukturës energjetike, ndërsa raportohet se janë goditur edhe objekte të tjera nafte në rajon. Tubacioni transporton miliona fuçi naftë çdo ditë drejt portit të Yanbu në Detin e Kuq, ndaj çdo ndërprerje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se janë kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj disa objektivave, përfshirë edhe impiante energjetike. Ende nuk ka një pasqyrë të plotë për dëmet dhe për ndikimin në funksionimin e tubacionit.
Ndërkohë, tensionet nuk janë kufizuar vetëm në Arabinë Saudite. Sulme janë raportuar edhe në vende të tjera të Gjirit, si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, ku janë dëmtuar objekte energjetike dhe zona banimi.
Këto zhvillime vijnë në një moment kur SHBA dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim dy-javor, me synimin për të ulur përshkallëzimin e konfliktit që ka zgjatur disa javë. Megjithatë, situata në terren tregon se përplasjet vazhdojnë dhe rreziku për një krizë më të thellë energjetike mbetet i lartë.