Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me ish-kryetarët e Kuvendit, Tito Petkovski, Trajko Veljanoski dhe Jovan Mitreski. Ky është takimi i dytë me radhë i këtij lloji, i organizuar me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve.
Siç njoftojnë nga kabineti i Gashit, në fillim të takimit, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu sërish respektin e tij të madh për Kuvendin, të cilin e konsideron një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.
“Ai ndau shkurtimisht informacione për aktivitetet që zhvillohen në Kuvend, të cilat nuk janë shumë të njohura për publikun. Në këtë drejtim, ai përmendi marrëveshjet kolektive të pesë universiteteve shtetërore të nënshkruara në dhjetor 2025, si dhe negociatat në vijim për lidhjen e një marrëveshjeje kolektive me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryetari Gashi, i informoi gjithashtu të pranishmit për procesin e miratimit të Kodit të ri Etik për deputetët, si dhe për procesin e digjitalizimit të plotë të punës së Kuvendit, i cili ka filluar të zbatohet nga 1 janari i këtij viti. Ai theksoi rëndësinë e digjitalizimit të video-incizimeve të seancave të Kuvendit që nga përbërja e parë e Kuvendit pas pavarësisë së shtetit”.