Forcat e armatosura ruse kanë marrë kontrollin e plotë të rajonit të Luhanskut në Ukrainë, tha sot Ministria ruse e Mbrojtjes, por një zyrtar ushtarak i Kievit e ka mohuar këtë pretendim, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgatitet për bisedime me të dërguarit amerikanë – që po përpiqen të ndërmjetësojnë përfundimin e pushtimit të Moskës, sipas AP.
“Njësitë e Grupit të Forcave Perëndimore kanë përfunduar çlirimin e Republikës Popullore të Luhanskut,” thuhet në deklaratën e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.
Megjithatë, zëdhënësi i Grupimit të Forcave të Përbashkëta të Ukrainës, Viktor Trehubov, tha se nuk ka ndryshime në atë rajon.
“Fatkeqësisht, ne kemi kontrollin e vetëm disa pikave të vogla në Luhansk, por ato pozicione janë mbajtur nga Brigada e 3-të për një kohë të gjatë”, tha Trehubov.
Pretendimet ruse për avancim në terren kanë shfaqur shpesh mospërputhje.
Kreu i Luhanskut i emëruar nga Moska kishte njoftuar pushtimin e plotë të rajonit që qershorin e kaluar.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Moska shpesh bën pretendime të rreme për të bindur negociatorët amerikanë se fitorja ruse në Ukrainë është e pashmangshme.
Përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja për të ndalur luftën, që tashmë është në vitin e pestë, deri më tani nuk kanë arritur të japin rezultat – ndërsa vëmendja e Uashingtonit është aktualisht e përqendruar te lufta në Iran.
Zelensky tha se do të zhvillojë sot një video-konferencë me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të diskutuar mundësinë e negociatave të mëtejshme trilaterale.
Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme katër rajone lindore të Ukrainës — Luhanskun, Donetskun, Khersonin dhe Zaporizhian — në shtator 2022, por kurrë nuk i ka kontrolluar plotësisht.
Presidenti rus Vladimir Putin tha tetorin e kaluar se forcat ukrainase ende mbajnë 0,13% të Luhanskut dhe kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga këto rajone – si kusht kyç për një marrëveshje paqeje, kërkesë që Ukraina e ka refuzuar.
Zelensky tha sot se luftimet në vijën e frontit janë të ashpra për shkak të ofensivës së pranverës ruse, por forcat ukrainase po mbajnë pozicionet e tyre.
“Situata në vijën e frontit është aktualisht mjaft e tensionuar — ushtria ruse po përpiqet të intensifikojë aktivitetin sulmues”, shkroi ai në X.
“Pushtimi rus ka shkaktuar gjithashtu pasoja të mëdha për civilët ukrainas, me më shumë se 15 000 të vrarë deri tani”, sipas Kombeve të Bashkuara.
Një sulm rus me dron shkaktoi vdekjen e katër personave në rajonin qendror Cherkasy, njoftoi guvernatori rajonal Ihor Taburets.
Sulmi goditi një zonë të hapur në Zolotonosha, rreth 150 kilometra në juglindje të kryeqytetit.
Dronët rusë gjithashtu shkaktuan dëme në perëndim të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë, duke përfshirë një objekt industrial në qytetin Lutsk, rreth 400 km perëndim të Kievit.
Zelensky tha sot në X se Ukraina është e angazhuar për të thelluar bashkëpunimin me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët janë gjithashtu në konsultime me Jordaninë dhe janë në kontakt me Bahreinin, Kuvajtin dhe Irakun.