Filipçe: Anëtarësimi në BE dhe NATO është interesi kombëtar! Mickoski: Asnjë lëvizje, as edhe një milimetër, pa garanci
Qëndrime të forta nga kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me atë se pa garanci për identitetin maqedonas dhe të drejtat e maqedonasve në Bullgari nuk do të ketë lëvizje në drejtim të ndryshimeve kushtetuese. Ai shkoi edhe më tej sa i përket mundësisë për tejkalimin e çështjeve të eurointegrimeve dhe tha se këtë qëndrim do ta përcjellë edhe tek ata që do të vijnë pas tij. Ndaj kritikave të LSDM-së opozitare u përgjigj se ata janë ata që e shesin identitetin maqedonas duke rrezikuar strategjinë shtetërore.
“VMRO-DPMNE nuk do të hyjë në çfarëdo aventure derisa të ketë një fund të qartë, së pari dhe së dyti derisa të garantohen të drejtat e njeriut të komunitetit maqedonas te fqinji ynë lindor. Nuk do të lëvizim as edhe një milimetër, do të presim. Nëse jo ne, këtë do ta përcjellim te ata që do të vijnë pas nesh, nëse as ata nuk ia dalin edhe ata që do t’i pasojnë. Identiteti maqedonas nuk ka më hapësirë të shitet”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski me këto deklarata konfirmoi se nuk ka ndërmend ta fusë vendin në BE dhe se për shkak të kësaj e ardhmja e vendit dhe e gjeneratave të ardhshme është vënë në pikëpyetje, komentoi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe. Ai i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit se LSDM është ajo që rrezikon interesin kombëtar maqedonas, pasi pikërisht anëtarësimi në BE dhe NATO është interesi i vërtetë kombëtar, theksoi Filipçe. Ai edhe sot e quajti Mickoskin lojtar pro rus.
“Kjo do të thotë se nuk ka asnjë reformë, kjo do të thotë se nuk ka asnjë kontroll nga Evropa dhe kjo sipas tij do të zgjasë edhe dekada nëse duhet. Dhe kjo tani është konfirmim për gjithçka që kemi thënë në periudhën e kaluar. Ai dëshiron t’i mbajë si peng gjeneratat e ardhshme, fëmijët, të gjithë qytetarët. Pse? Që pa kontroll përmes tenderëve të bëjnë grabitje të parave të popullit”, u shpreh Venko Filipçe kryetar i LSDM-së.
Dje edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në lidhje me procesin eurointegrues, porositi se kërkesat e fqinjëve janë jashtë kritereve evropiane dhe se Bashkimi Evropian duhet ta rishqyrtojë politikën ndaj Ballkanit Perëndimor.