Ekstremistët izraelitë kaluan të mërkurën në mbrëmje jug të Libanit dhe bënë thirrje për vendbanime në vendin arab, në një lëvizje të rrallë ndërkufitare pas një incidenti të ngjashëm në Siri, transmeton Anadolu.
Pamjet me një grup që mbështet vendbanimet në Liban treguan pushtues izraelitë të ekstremit të djathtë brenda zonave në jug të vendit, duke deklaruar, “Aktivistët tanë janë në jug të Libanit” dhe duke bërë thirrje për atë që ata e përshkruan si “rifillimin e vendbanimeve”.
Zhvillimi erdhi menjëherë pasi dhjetëra pushtues izraelitë nga e ashtuquajtura lëvizja “Pionierët e Bashanit” hynë në fshatin sirian Hader, ku u ngjitën në një ndërtesë dhe valëvitën flamuj izraelitë në prani të forcave izraelite.
Ushtria izraelite më vonë tha se kishte kthyer rreth 40 civilë izraelitë që kishin kaluar në Siri dhe ia dorëzoi policisë.
Transmetuesi publik i Izraelit tha se një numër izraelitësh gjithashtu arritën të kalonin në jug të Libanit duke përparuar disa qindra metra përtej kufirit para se të ndaloheshin.
Transmetuesi tha se ushtria izraelite më vonë i kapi ata dhe ia dorëzoi policisë.
Mbështetësit e projektit të ashtuquajtur “Izraeli i Madh”, përfshirë zyrtarë të tillë izraelitë si ministri ekstremist i Financave, Bezalel Smotrich, argumentojnë se përveç pushtimit të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, vendi duhet të zgjerohet në territorin e vendeve fqinje sovrane si Siria, Jordania dhe Libani.
Mbi 2.200 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1 milion janë zhvendosur nga sulmet e zgjeruara izraelite ndaj Libanit që nga 2 marsi, menjëherë pas fillimit të luftës së Iranit.
Sulmet kanë vazhduar pavarësisht armëpushimit 10-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, të rënë dakord më 16 prill.