Shteti do të nxjerrë në shitje 71 krerë gjedhë nga rasti i njohur i Kriva Pallankës, një tufë që prej vitesh ka shkaktuar reagime te banorët, përplasje institucionale dhe pyetje se si një numër kaq i madh kafshësh ka mundur të lëvizë pa kontroll në qytet dhe fshatrat përreth.
Rasti merr përmasa më serioze pas përgjigjes që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka dërguar “Faktor”. AUV konfirmon se që nga 22 nëntori 2025 deri më sot janë sekuestruar dhe kapur gjithsej 92 gjedhë, ndërsa 21 prej tyre kanë ngordhur.
Në përgjigjen e plotë të AUV thuhet:
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që nga data 22.11.2025, deri më tani ka sekuestruar dhe kapur gjithsej 92 gjedhë të gjinive, moshave dhe kategorive të ndryshme. Nga këto, 57 janë të identifikuara me matrikuj në vesh, ndërsa 35 janë pa shenjë identifikuese. Nga numri i përgjithshëm i gjedhëve të sekuestruara dhe të kapura, deri më tani 21 kanë ngordhur, nga etiologji të ndryshme, pjesa më e madhe si pasojë e vdekjes së dhunshme (vetëlëndim). Bëhet fjalë për kafshë që më parë nuk janë mbajtur në stallë, pra kanë jetuar dhe janë shumuar lirshëm në natyrë. Pas kapjes dhe mbajtjes në hapësira të mbyllura (stallë), një pjesë e gjedhëve lëndojnë njëri-tjetrin, duke shfaqur agresivitet, veçanërisht meshkujt e rritur ndaj individëve më të vegjël.”
Kjo përgjigje hap dilema për kushtet në të cilat janë mbajtur kafshët, kapacitetin e stallave, ndarjen sipas moshës dhe gjinisë, mbikëqyrjen e individëve agresivë dhe informimin në kohë të opinionit për ngordhjen e një numri kaq të madh krerësh.
Sipas vendimit të Qeverisë të miratuar më 21 prill, bëhet fjalë për kafshë të gjalla nga lloji i gjedhëve, në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me përdorues Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Vlera fillestare totale e 71 krerëve është rreth 51,5 mijë euro, përkatësisht 3.166.450 denarë. Në vendim theksohet se shitja do të bëhet “individualisht”, përmes ankandit publik elektronik, në sistemin që menaxhohet nga Ministria e Financave, përkatësisht Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike.
Në vendim thuhet:
“Të realizohet shitja e sendeve të luajtshme – kafshë të gjalla nga lloji i gjedhëve, në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me përdorues Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.”
Mbetet e paqartë nëse blerësit do të mund të ofertojnë për një, disa apo të gjitha gjedhët, pasi nga vendimi rezulton se shitja është individuale, ndërsa detajet konkrete pritet të bëhen të ditura në shpalljen dhe procedurën që do ta zhvillojë komisioni kompetent.
Nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike menaxhon sistemin e ankandit elektronik, ndërsa të dhënat për shitjen konkrete – si shpallja, data e ankandit dhe mënyra e shitjes – janë në kompetencë të komisionit që e zbaton procedurën.
Pjesa më e madhe e gjedhëve që dalin në shitje janë të regjistruara si përzierje racash – gjithsej 55 krerë, me vlerë fillestare rreth 35,6 mijë euro. Në listë ka edhe 9 krerë të racës holshtajn-friziane, të vlerësuara rreth 9,1 mijë euro, si dhe 7 gjedhë simentalë me vlerë rreth 6,8 mijë euro.
Nga 71 gjedhë, 48 janë femra dhe 23 meshkuj. Vlera fillestare e meshkujve është rreth 24,2 mijë euro, ndërsa e femrave rreth 27,3 mijë euro. Gjedhi më i shtrenjtë është një mashkull, përzierje racash, 3.5 vjeç, me çmim fillestar 110.000 denarë, ndërsa më i liri është 12.000 denarë, për krerë të rinj 1.5 deri 2 muajsh.
Ky është një rast që prej vitesh ka trazuar Kriva Pallankën. Më herët, mediat raportuan për qindra lopë të egërsuara që lëviznin në rajon, shkaktonin dëme në ara dhe oborre, krijonin frikë te banorët dhe hapnin debate institucionale për përgjegjësinë. Banorët e disa fshatrave protestuan duke kërkuar zgjidhje, ndërsa rasti mori edhe dimension penal pas raportimeve se zyrtarë të AUV-së ishin penguar gjatë kapjes së disa prej kafshëve.