Disa anije të Marinës së SHBA-së kanë kaluar sot përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas gazetës Axios, në një zhvillim që po shihet si i rëndësishëm në kontekstin e tensioneve aktuale në rajon. Sipas raportimit, lëvizja e anijeve amerikane nuk është koordinuar me Iranin.
Një zyrtar amerikan, i cituar nga burimi, ka theksuar se ky kalim është bërë pa marrëveshje apo bashkërendim paraprak me palën iraniane, gjë që mund të rrisë ndjeshmërinë e situatës në këtë korridor strategjik detar, shkruan skynews.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një proces për “pastrimin” e Ngushticës së Hormuzit, duke e paraqitur këtë si një veprim në shërbim të vendeve të tjera të botës.
“E vetmja gjë që u ka mbetur është kërcënimi se një anije mund të “përplaset” me një nga minat e tyre detare, të cilat, meqë ra fjala, edhe 28 anijet e tyre për vendosjen e minave ndodhen gjithashtu në fund të detit. Tani po fillojmë procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit, si një shërbim për vendet në mbarë botën, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën, Gjermaninë dhe shumë të tjera. Është e pabesueshme që ata nuk kanë as guximin apo vullnetin ta bëjnë këtë punë vetë”, ka shkruar ai në Truth Social.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian përmes Gjirit të Omanit, është një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë dhe shpesh konsiderohet si një nga zonat më të ndjeshme gjeopolitike.
Sipas raportit, besohet se kjo është hera e parë që një anije e Marinës së SHBA-së kalon në këtë zonë që nga fillimi i luftës, duke e bërë këtë lëvizje një zhvillim të vëzhguar nga afër nga aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Ndryshe, Ngushtica e Hormuzit ishte bllokuar nga ana e iranianëve pas sulmeve amerikane-izraelite ndaj Teheranit.