Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Komuna e Çairit organizoi një panel diskutimi të dedikuar për përfshirjen dhe integrimin e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Ky aktivitet shërbeu si një platformë për të ndarë përvoja, për të diskutuar sfidat dhe për të propozuar rrugë konkrete drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Përfaqësuesi institucional, Ariton Rama, theksoi rëndësinë e angazhimit të institucioneve për integrimin dhe socializimin e këtyre fëmijëve, duke e konsideruar këtë detyrë si ligjore dhe morale. Ai u shpreh se institucioneve u duhet “ngjyra e kaltër” – njerëz të jashtëzakonshëm që kryejnë punë të jashtëzakonshme për të garantuar barazi.
Një moment i veçantë i panelit ishte dëshmia e prindit Afrim Bajrami për djalin e tij, Anuarin, e cila preku zemrat e të pranishmëve dhe rikujtoi se çdo fëmijë është një bekim dhe një dhuratë e çmuar.
Përfaqësuesja e shoqatave, Zemrijet Bela, theksoi rolin jetik të organizatave në mbështetje të prindërve dhe orientimin e tyre drejt rrugëve të duhura të arsimimit, ndërsa psikologu Arben Kadriu shtoi rëndësinë e empatisë dhe reflektimit mbi pranimin shoqëror, duke sugjeruar filmin “My Name is Khan” si një shembull të fuqishëm.
Në emër të Komunës së Çairit, Kryetari i Këshillit Komunal, Muhamed Murtezi, rikonfirmoi përkushtimin për ndërtimin e politikave që garantojnë barazi reale dhe gjithëpërfshirje për çdo fëmijë, pa asnjë përjashtim.
Ky panel theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për të krijuar një shoqëri ku çdo fëmijë ka mundësinë të zhvillohet dhe të integrohet plotësisht.