Arsenali ka pësuar një humbje të papritur në javën e 32-të të Ligës Premier, duke u mposhtur me rezultat 2-1 nga Bournemouth në një ndeshje me ritëm të lartë dhe me shumë episode vendimtare.
Bournemouth e nisi më mirë sfidën dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 17-të, kur Eli Junior Kroupi përfitoi nga një top I kthyer brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë nga afërsia, duke e lënë pa reagim portierin David Raya për 1-0.
Arsenali reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, me Kai Havertz që ishte shumë pranë golit pas një krosimi të Declan Rice, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi traversë nga pozicion i favorshëm.
Presioni i “Topçinjve” u shpërblye në minutën e 35-të, kur Viktor Gyokeres shënoi golin e barazimit, duke çuar topin në cepin e majtë të portës për 1-1 pas një aksioni të mirë të skuadrës londineze.
Në fillimin e pjesës së dytë, Arsenali madje mendoi se kishte përmbysur rezultatin, por goli i Gyokeres u anulua për pozicion jashtë loje.
Trajneri Mikel Arteta bëri disa ndryshime taktike gjatë pjesës së dytë, duke futur në lojë emra si Leandro Trossard, Eberechi Eze, Gabriel Jesus dhe Cristhian Mosquera për të shtuar freski në skuadër.
Megjithatë, Bournemouth riktheu epërsinë në minutën e 74-të, kur Alex Scott finalizoi një aksion të bukur të nisur nga Evanilson, duke mposhtur David Raya me një goditje precize në cepin e majtë të portës për 2-1.
Pas kësaj humbjeje, Arsenali mbetet lider i Ligës Premier me 70 pikë, me nëntë pikë më shumë se Manchester City i vendit të dytë, i cili ka 61 pikë por edhe dy ndeshje më pak të luajtura.