Shkencëtarët presin që një asteroid me madhësinë e tre fushave të futbollit të kalojë pranë Tokës brenda tre vitesh, duke ua bërë të mundur shkencëtarëve të studiojnë shkëmbin kolosal hapësinor nga afër, tha NASA të mërkurën.
Asteroidi Apophis, i emëruar sipas perëndisë së lashtë egjiptiane të njohur si “Zoti i Kaosit”, do të kalojë me shpejtësi pranë planetit më 13 prill 2029.
Do të kalojë rreth 20,000 milje mbi sipërfaqen e Tokës, gjë që do ta bënte atë më afër se shumë satelitë në orbitë, shtoi agjencia.
Satelitët më të lartë orbitojnë në një lartësi prej afërsisht 22,000 miljesh nga ekuatori.
Edhe pse shkencëtarët e konsiderojnë Apophisin si “një asteroid potencialisht të rrezikshëm”, NASA siguroi publikun se nuk do të përbëjë kërcënim për Tokën gjatë udhëtimit të tij në vitin 2029.
Pas vitesh monitorimi të vazhdueshëm, shkencëtarët thonë se janë të bindur se objekti nuk përbën kërcënim për Tokën për të paktën 100 vitet e ardhshme.
“Nuk ka rrezik për Tokën, për askënd ose asgjë që jeton në të, as për astronautët apo satelitët në hapësirë”, tha agjencia.
“Por ngjarja është një mundësi e mahnitshme dhe krejtësisht e pashembullt për të mësuar shumë më tepër rreth Apophis dhe asteroideve të ngjashme pranë Tokës”, shtoi ajo.
Njerëzit që jetojnë në Hemisferën Lindore do të jenë në gjendje ta shohin asteroidin me sy të lirë, varësisht nga kushtet e motit, sipas NASA-s.