Artin Spahiju: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut : mes të drejtës së fituar dhe rrezikut të humbjes

Artin Spahiju: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut : mes të drejtës së fituar dhe rrezikut të humbjes

ARTIN SPAHIJU

Falë studentëve që u ngritën në protestë pas disa vitesh apo dekadash, për një të drejtë natyrore dhe kushtetuese, kuptuam shumë gjëra që në realitet, ndonjiherë nga dëshira për të mos i parë e ndonjiherë nga interesi, nuk i kemi parë, por edhe nëse i kemi parë nuk i kemi thënë.
Çështja e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe më të politizuara në vend, edhe më shumë se dy dekada pas Marrëveshja e Ohrit.
Edhe pse kjo marrëveshje vendosi themelet e barazisë, rruga drejt zbatimit real të saj ka qenë e gjatë, e vështirë dhe shpesh e deformuar nga interesat politike.
U deshën plot 17 vite që të miratohet një ligj më i avancuar për përdorimin e gjuhëve, i cili në thelb e ngriti shqipen në nivel zyrtar.
Megjithatë, mënyra se si u formulua ligji , duke shmangur emërtimin e drejtpërdrejtë të “gjuhës shqipe” dhe duke përdorur termin “gjuha që e flasin mbi 20% e popullsisë”, dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një kompromis politik dhe si komb që përbëjmë mbi 30% të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut, gjuha jonë është zyrtare dhe këtë askush nuk duhet ta mohojë.
Një nga momentet më të diskutueshme mbetet dërgimi i ligjit për shqyrtim në Komisioni i Venecias në vitin 2019.
Edhe pse kjo mund të arsyetohet si praktikë standarde, pasojat ishin të dukshme: sugjerimet kritike të këtij institucioni u shfrytëzuan nga qarqe nacionaliste maqedonase për ta kontestuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Kjo e vendosi çështjen e gjuhës shqipe sërish në një pozitë të pasigurt juridike.
Këtu lind pyetja thelbësore: pse u lejua një hap i tillë nga përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e atëhesrshme 2017-2020?
A ishte mungesë e vizionit strategjik apo një kompromis i imponuar?
Cilado qoftë përgjigjja, pasojat po i paguan sot gjithë faktori shqiptar.
Këto rekomandime që cungonin gjuhën shqipe nuk u lejuan që të miratohen gjatë qeverisjes 2020-2024, ndërsa përdorimi i gjuhës shqipe u avansua duke hyrë në përdorim edhe në Qeveri, edhe në Presidencë.
Sot, situata është edhe më problematike.
Çështja e gjuhës shqipe është kthyer në një instrument të pastër politik.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që për vite me radhë ishte në pushtet dhe nuk arriti ta zbatojë plotësisht ligjin, sot e mbron atë nga opozita.
Ndërkohë, VLEN, që aktualisht është pjesë e pushtetit, shpesh relativizon ose hesht përballë sfidave që i bëhen statusit të shqipes, gjer edhe te mohimi i vetë VLEN-it të ekzistencën e ligjit.
Ky dualizëm në aspektin e vlerësimit të ekzistencës së ligjit, jo vetëm që e dobëson pozitën e shqiptarëve, por krijon edhe një perceptim të rrezikshëm: se gjuha shqipe nuk është një e drejtë e panegociueshme, por një çështje që mund të përdoret për poena politike.
Në këtë kontekst, rreziku është real. Vendimet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese mund të kufizojnë elemente të rëndësishme të përdorimit të shqipes, duke e kthyer procesin mbrapa.
Por rreziku më i madh nuk vjen vetëm nga jashtë, ai vjen nga brenda, nga mungesa e unitetit dhe e përgjegjësisë politike shqiptare.
Në vend që të përplasen për interesa të ngushta partiake, faktorët shqiptarë duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë: gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe e tillë duhet të trajtohet pa asnjë ekuivok.
Nuk mund të ketë më dualizëm se “a ekzist apo jo ligji i gjuhës”, as heshtje përballë sfidave, as përdorim të kësaj çështjeje për konsum ditor politik.
Koha kërkon përgjegjësi. BDI duhet të ketë guximin të pranojë lëshimet e së kaluarës, sidomos për çështjen e mosimplementimit të duhur të shqipes, sidomos në procesin provimeve të jurispondencës- e cila është temë aktuele- dhe të kërkojë përgjegjësi për ata që nuk e zbatuan, kur kemi parasysh se mbi 5 ministra të drejtësisë nga radhët e BDI-së ka pasur.
Ndërsa përfaqësuesit aktualë në pushtet duhet të tregojnë dinjitet dhe të vendosin kufij të qartë ndaj çdo tentative për relativizimin e shqipes, duke i shkëputur qoftë edhe përfundimisht nga Mickovski.
Sepse në fund, kjo nuk është çështje partie. Është çështje identiteti, dinjiteti dhe e ardhmja jonë si komb. Dhe historia nuk fal ata që në momente kyçe zgjedhin heshtjen, destruktivitetin dhe kalkulimin politik në vend të qëndrimit stoik për çështjet kombëtare.
#gjuhashqipe mbi të gjitha
#mjaft më me #demagogji dhe #servilizëm

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo