Lideri i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve.
Në një reagim publik, Ahmeti theksoi se Engel për më shumë se tre dekada ishte një zë i fuqishëm i lirisë së shqiptarëve në Kongresin amerikan, duke qëndruar vazhdimisht pranë çështjes shqiptare.
“Ai do të kujtohet ndër gjenerata si një mik i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe një kontribues i madh në të gjitha proceset tona në Maqedonia e Veriut, Kosovë, Shqipëri, në Luginë, Mal i Zi dhe në diasporë,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka rikujtuar gjithashtu takimet e shumta me Engel në Uashington, Shkup dhe Prishtinë, duke theksuar se nga çdo takim kishte mësuar dhe se shqiptarët ishin me fat që e patën një mbështetës të tillë.
Në fund të reagimit të tij, Ahmeti ka shprehur ngushëllimet për familjen Engel dhe ka falënderuar për kontributin e tij të çmuar ndaj shqiptarëve.
“Lamtumirë mik. Shqiptarët do të mbeten përjetësisht mirënjohës për gjithçka që ke bërë për ne,” përfundon reagimi i tij.