Ademi shpërthen ndaj draft-ligjit të Karakamishevës : Hap drejt diskriminimit dhe kthim para vitit 2001





Sekretari i përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili së fundmi ka qarkulluar në media, duke e cilësuar atë si një nismë që nuk siguron përfaqësim të drejtë, por hap rrugë për diskriminim.

Sipas Ademit, drafti nuk parasheh kuota etnike, çka sipas tij rrezikon rikthimin e gjendjes së para vitit 2001, kur shqiptarët përfaqësoheshin në nivele minimale në administratën shtetërore. Ai thekson gjithashtu se ligji nuk obligon institucionet që të identifikojnë përkatësinë etnike të kandidatëve gjatë procesit të punësimit apo avancimit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ademi është mungesa e dispozitave sanksionuese në këtë propozim-ligj, duke e konsideruar atë të paplotë dhe joefektiv në garantimin e barazisë.

Në reagimin e tij, ai bëri të ditur se një profesor shqiptar, pjesë e grupit punues, është tërhequr nga procesi, duke refuzuar të jetë pjesë e, siç e cilësoi ai, një procesi të dirigjuar që, sipas tij, çon vendin prapa në standardet para vitit 2001.

Ademi e përmbylli reagimin e tij me tone të ashpra kritike ndaj këtij propozimi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo