Ademi: Mosrespektimi i gjuhës shqipe në institucione, shkelje e Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me, siç thotë ai, mosrespektimin e përdorimit të gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut informon Tetovasot.
Në reagimin e tij me titull “NO COMMENT – Zot fali se nuk dijnë”, Ademi thekson se është e papranueshme që Qeveria dhe Presidenti të shënohen me “0 publikime”, duke kujtuar se këto institucione janë organe përbërëse të pushtetit shtetëror sipas Kushtetutës.
Ai rikujtoi se sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këto institucione dhe se:
Sipas nenit 5 paragrafi (7), të gjitha aktet e Qeverisë duhet të publikohen në maqedonisht dhe shqip
Sipas nenit 17, të gjitha ligjet, vendimet dhe shpalljet e institucioneve shtetërore duhet të botohen në të dyja gjuhët në Gazetën Zyrtare
Ademi thekson se këto të drejta janë të fituara me Marrëveshja e Ohrit dhe të përkthyera në Kushtetutë dhe ligje, duke shtuar se interpretimet e kundërta janë, sipas tij, të paprecedenta.
“Ose nuk i kuptoni të drejtat që janë fituar me Marrëveshjen e Ohrit, ose nuk i doni të njëjtat”, shkroi Ademi në reagimin e tij transmeton Tetovasot.
