3 POSTE, ZERO SHQIPTARË! Banka Popullore po mbyllet etnikisht

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut do të mbetet pa asnjë përfaqësues shqiptar në nivelin ekzekutiv, pasi tre postet kryesore – ai i guvernatorit dhe dy zëvendësguvernatorëve, tashmë mbahen ekskluzivisht nga maqedonasit. Para kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi, Deklaratë Solemne dhanë dy zëvendësguvernatorët e rinj, Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski. Mitreska nis mandatin e saj të dytë shtatëvjeçar, ndërsa Veliçkovski të parin, të dy të propozuar nga guvernatori Trajko Sllaveski. Me këtë zhvillim, për herë të parë pas 14 vitesh, Banka Popullore do të mbetet pa zëvendësguvernator shqiptar, një pozitë që deri tani e mbante Fadil Bajrami e të cilit shumë shpejt I mbaron mandati, shkruan gazeta KOHA.

Mitreska, e emëruar për herë të parë në vitin 2018, është magjistre e ekonomisë monetare me mbi 25 vite përvojë në Bankën Popullore. Edhe Veliçkovski konsiderohet profesionist me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve të pagesave dhe tregjeve financiare. Në biografinë e tij thuhet se ka doktoraturë në ekonominë monetare në Universitetin e Stafordshirit, në Britaninë e Madhe, dhe ka mbi 30 vjet që është pjesë e Bankës Popullore.

Megjithatë, procesi i zgjedhjes u shoqërua me kritika në Kuvend. Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, vuri në pikëpyetje procedurën dhe afatet ligjore, duke theksuar se mandati i zëvendësguvernatorëve kishte përfunduar më 18 tetor 2025, ndërsa zgjedhja u realizua vetëm më 8 prill 2026. Ajo theksoi se vonesa përbën shkelje të Ligjit për Bankën Popullore dhe mund të dëmtojë funksionimin, legjitimitetin dhe kredibilitetin e institucionit, veçanërisht në një periudhë të ndjeshme ekonomike dhe financiare. Si rrjedhojë, grupi parlamentar i LSDM-së paralajmëroi votë kundër, jo për shkak të kandidatëve, por si “alarm për mosrespektimin e ligjeve dhe afateve”.

Pavarësisht kësaj, ajo që bie në sy është mungesa totale e reagimit nga deputetët shqiptarë, të cilët në asnjë moment gjatë seancës parlamentare nuk e ngritën çështjen e përfaqësimit, konkretisht mungesën e së paku një zëvendësguvernatori shqiptar në këtë institucion kyç financiar. Ndryshe, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut është Bankë Qendrore dhe rrjedhimisht banka e vetme për emetim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i saj kryesor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, si dhe planifikimi I politikave monetare në shtet. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo