Investimi në njohuritë dhe zhvillimin profesional të nëpunësve publikë është një parakusht kyç për ndërtimin e një administrate publike efikase, moderne dhe profesionale, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me standardet evropiane, theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Sipas tij, aftësitë dhe rezultatet e treguara nga nëpunësit do të jenë të lidhura drejtpërdrejt me avancimin e tyre në karrierë. Ai shtoi se investimi në njohuritë dhe aftësitë e nëpunësve nuk është shpenzim, por një investim strategjik në të ardhmen e shtetit.
“Detyra jonë është të krijojmë një kulturë të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Duhet ta ç’stigmatizojmë termin “administrativ” dhe ta transformojmë atë në “profesionist në shërbimin publik”. Kjo fillon me programe cilësore, trajnerë të përshtatshëm dhe me një vizion që i tejkalon ciklet politike.”, – deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Ministri theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në procesin e reformave. Ndërkohë, ambasadori francez, Kristof Le Rigoler, theksoi se Franca është seriozisht e përkushtuar për mbështetjen e reformës së administratës publike në vendin tonë dhe në rajon.
“Reforma e administratës publike gjendet në thelbin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe, në këtë kuadër, kjo reformë është shtylla kryesore në procesin e para anëtarësimit në BE, një element struktural dhe një parakusht i rëndësishëm për kornizën e negociatave, pasi është një nga treguesit kryesorë që duhet të përmbushen për Maqedoninë e Veriut si vend kandidat për BE.”, – theksoi ambasadori i Francës në vend, Kristof Le Regoler.
Drejtorja e Shkollës Rajonale e Administratës Publike, Maja Hanxhiska Trendafilova, theksoi ekspertizën franceze dhe bashkëpunimin strategjik si model për vlerë publike rajonale, duke vënë në dukje mungesën e burimeve për trajnime dhe digjitalizim.
“Ne nuk investojmë vetëm te nëpunësit publikë, sepse nëse arrijmë t’i pajisim ata me njohuri, përvojë, rrjetëzim dhe vlera, gjithçka që u nevojitet për të përballuar këtë mjedis kompleks pune, por edhe në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike, atëherë do të përmirësojmë kapacitetet e institucioneve për t’u shërbyer më mirë qytetarëve. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në rrugën tonë eurointegruese, e cila është ëndrra dhe aspirata e gjeneratës sonë dhe e rajonit.”, – theksoi drejtorja e ShRAP-së, Maja Hanxhiska Trendafilova.
Akademia për përmirësim profesional të nëpunësve pritet të fillojë punën në fillim të vitit të ardhshëm, synimi i së cilës është forcimi i kapaciteteve institucionale dhe përmirësimi i zhvillimit profesional në administratën publike përmes shkëmbimit të ideve dhe praktikave të mira nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.