Vdekja e Ali Khameneit/ Zbulohet përgatitja sekrete 60-ditore e SHBA-ve dhe Izraelit për ekzekutimin e liderit suprem të Iranit

Të shtunën në mëngjes, ndërsa bombat izraelite goditën kompleksin e udhëheqësit suprem në Teheran, Ali Khamenei po takohej me bashkëpunëtorë të ngushtë.

Sipas burimeve amerikane dhe izraelite, operacioni i përbashkët SHBA-Izrael, që çoi në vdekjen e Khameneit, ishte kulmi i një strategjie dy-mujore të zhvilluar nga administrata e Donald Trump, e cila kombinonte diplomacinë me përgatitjen për luftë. Të premten, Trump zgjodhi rrugën e veprimit ushtarak.

Kriza, e cila filloi me kryengritjen publike në Iran në fund të dhjetorit, është karakterizuar nga përmbysje të vazhdueshme, surpriza dhe dezinformim i qëllimshëm, që sipas zyrtarëve amerikanë veproi si avantazh strategjik, duke e lënë udhëheqjen iraniane të ekspozuar ndaj sulmit ajror më të madh të kryer ndonjëherë nga ushtria izraelite.
Themelet e operacionit u hodhën në fund të dhjetorit, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi Trumpin në Mar-a-Lago, ndërsa protestat antiqeveritare po shpërthenin në Iran. Në atë takim u diskutua vazhdimi i sulmeve të përbashkëta të vitit të kaluar, të përqendruara kryesisht në aftësitë balistike të Teheranit, me një afat kohor rreth majit.

Megjithatë, zhvillimet u përshpejtuan shpejt, pasi regjimi iranian i përndoqi dhunshëm protestuesit, duke shkaktuar mijëra vdekje. Më 14 janar, Trump ishte afër miratimit të një sulmi ushtarak, por u tërhoq, duke urdhëruar përforcime të konsiderueshme ushtarake në Lindjen e Mesme dhe duke filluar planifikimin sekret të një operacioni të përbashkët me Izraelin. Kontaktet pasuan në Uashington me kreun e Mossadit, kreun e inteligjencës ushtarake izraelite dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, për koordinimin e operacioneve “Epic Fury” dhe “Roaring Lion”.

Në të njëjtën kohë, Trump shqyrtonte nëse presioni ushtarak mund të çonte në një marrëveshje sipas kushteve amerikane. Në fillim të shkurtit, Shtetet e Bashkuara dhe Irani u takuan në Oman për herë të parë që nga lufta 12-ditore e qershorit të kaluar. Disa ditë më vonë, Netanyahu vizitoi urgjentisht Uashingtonin për të diskutuar “vijat e kuqe” të negociatave dhe mundësinë e një operacioni ushtarak të përbashkët në rast të dështimit të bisedimeve. Sipas një burimi amerikan, Teherani u informua qartë se çdo veprim ushtarak “do të pasonte menjëherë nëse nuk do të kishte përparim të konsiderueshëm në një periudhë të shkurtër”.

Një javë para takimit të Gjenevës, SHBA-të dhe Izraeli ranë dakord për një dritare kohore të mundshme për sulmin: të shtunën e ardhshme, një ditë kur Khamenei po mbante një takim të rregullt me zyrtarët e lartë të qeverisë. Qëllimi ishte të mos krijoheshin dyshime që do ta detyronin udhëheqësin të kërkonte strehim. Sipas raportimeve, ai nuk e ndryshoi planin e tij. Pas takimit të parë në Gjenevë, Kushner dhe Witkoff raportuan zëvendëspresidentin J.D. Vance për dallimet e rëndësishme midis palëve. Një raund i dytë bisedimesh nuk e ndryshoi situatën.

Tre çështje mbetën të hapura: programi bërthamor dhe pasurimi, ku SHBA ofroi karburant bërthamor për përdorim civil në këmbim të braktisjes së pasurimit, por Teherani refuzoi; programi balistik, ku Iranianët shmangën diskutime mbi aftësitë raketore dhe financimi i organizatave të armatosura në rajon, që gjithashtu nuk u pranua si temë negociatash.

Pas Gjenevës, ministri i jashtëm i Omanit fluturoi për në Uashington për të vonuar vendimin, por Trump e kishte vendosur tashmë. Të shtunën në mëngjes, Khamenei mbajti takimin e planifikuar, ndërsa dy objektiva të tjera të zyrtarëve iranianë u goditën njëkohësisht. Një zyrtar i inteligjencës izraelite tha se nëse Teherani do të pranonte kërkesat amerikane në Gjenevë, opsioni ushtarak do të ishte ngrirë. “Ata menduan se nuk do të kishte veprime. Ata gaboheshin”, tha ai.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo