Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij pret “ndryshime të mëdha” në Kubë, duke theksuar se sistemi aktual në ishull është pranë fundit të tij.
Deklaratat Trump i bëri gjatë një takimi me liderë të Amerikës Latine në një samit të mbajtur pranë Miami, ku theksoi se Kuba është “në fund të rrugës” dhe se vendi mund të përballet së shpejti me transformime të mëdha politike.
“Kuba është në momentet e fundit të jetës së saj ashtu siç ka qenë deri tani. Do të ketë një jetë të re të shkëlqyer, por aktualisht është në fund të rrugës”, deklaroi Trump para liderëve rajonalë.
Ai gjithashtu sugjeroi se administrata amerikane mund të arrijë një marrëveshje me Havanën, duke shtuar se negociatat mund të zhvillohen përmes sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio.
Gjatë të njëjtit takim, Trump u bëri thirrje vendeve të rajonit të ndërmarrin veprime më të forta kundër karteleve të drogës dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare, të cilat i cilësoi si një kërcënim serioz për sigurinë e hemisferës.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës mbeten të tensionuara dhe situata ekonomike në Kubë konsiderohet ndër më të vështirat në vitet e fundit.