Trump kërcënon me shkatërrimin e infrastrukturës energjetike në Iran nëse bisedimet dështojnë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se negociatat me Iranin për t’i dhënë fund sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael po përparojnë, por paralajmëroi se infrastruktura thelbësore energjetike e vendit do të shkatërrohet nëse bisedimet nuk japin rezultat së shpejti, transmeton Anadolu.

“Nëse për ndonjë arsye nuk arrihet marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të ndodhë dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk është menjëherë e hapur për biznes, ne do ta përfundojmë qëndrimin tonë të mrekullueshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke zhdukur plotësisht të gjitha centralet e tyre të gjenerimit të energjisë elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha impiantet e shkripëzimit!)”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social”.

Pavarësisht paralajmërimit, ai tha se diskutime serioze po vazhdojnë me një regjim iranian të ri dhe më të arsyeshëm.

Irani tha sot se nuk ka zhvilluar negociata të drejtpërdrejta me SHBA-në, duke thënë se kontaktet e fundit ishin të kufizuara në mesazhe të transmetuara përmes ndërmjetësve. Vendet rajonale kanë kërkuar të ndërmjetësojnë një marrëveshje midis palëve, me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, i cili sinjalizoi se Islamabadi do të ishte i gatshëm të priste bisedime.

Të dielën, Trumpi ka inkurajuar përpjekjet diplomatike, me ndërmjetësues, përfshirë Pakistanin, Turqinë dhe Egjiptin, të përfshirë në kontakte indirekte midis Washingtonit dhe Teheranit. Ai tha se bisedimet indirekte nëpërmjet emisarëve pakistanezë po përparojnë ndërsa shtoi se “një marrëveshje mund të arrihet mjaft shpejt”.

Shumë zyrtarë të lartë iranianë janë midis 1.340 personave të vrarë në ofensivën ajrore që SHBA-ja dhe Izraeli nisën kundër Iranit më 28 shkurt, përfshirë ish-udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet globale dhe aviacionin.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo