Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një mbledhjeje qeveritare në Uashington, ka deklaruar se forcat amerikane kanë shkatërruar pothuajse plotësisht kapacitetet ushtarake të Iranit. Megjithatë, ai paralajmëroi se edhe një kërcënim minimal në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja serioze.
”I kemi thërrmuar ushtarakisht. Nuk kanë më forcë ajrore, nuk kanë marinë, u kanë mbetur shumë pak raketa. Prodhimin e kanë të vështirë, e njëjta gjë vlen edhe për dronët. Udhëheqja e tyre është eliminuar,” tha Trump.
Ai theksoi se as shkatërrimi prej 99% nuk mjafton: “Ky 1% i mbetur është i rezik ssrioz, sepse mund të nënkuptojë një raketë që godet një anije me vlerë një miliard dollarë. Pra, 99% nuk mjafton.”
Presidenti shtoi se Irani po tregon interes për një marrëveshje: “Kam ndjenjën se kjo do të zgjidhet shpejt. Ata duan marrëveshje. Ndosha me këto deklarata e kemi vështirësuar procesin, por dje pretendonin se nuk po negocionim, ndërsa tani e pranojnë se po negociojmë. Arsyeja është se u kemi dhënë një goditje të rëndë,” deklaroi Trump.
Konflikti filloi më 28 shkurt me sulme të përbashkëta ajrore amerikano-izraelite mbi objektivat ushtarake dhe bërthamore iraniane, ku u likuidua udhëheqja e lartë, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei. Irani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe aleatëve në rajon, përfshirë objektivat në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irak, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike dhe ushtarake.
Pas fillimit të konfliktit, Irani kufizoi ndjeshëm kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit — një nga rrugët kryesore detare për tregtinë globale të naftës, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e rezervave botërore. Edhe pse Teherani pretendon se ngushtica nuk është mbyllur plotësisht, janë vendosur kushte dhe kufizime të rrepta për anijet, veçanërisht ato që lidhen me SHBA-në dhe aleatët e saj. Kjo ka çuar në tronditje të tregjeve të energjisë dhe rritje të çmimeve të naftës.