“Në kategorinë e ushqimit përfshihen më shumë produkte ushqimore, përfshirë edhe pijet, por në një kategori të përgjithshme. Të dhënat që i mora para emisionit tregojnë se eksporti i realizuar në vitin 2025 arrin në 417 milionë euro. Këtu bëhet fjalë për produkte bujqësore që hyjnë në kategorinë e ushqimit – nuk po flas për pijet dhe ujin. Ndërsa importi arrin në 202 milionë euro, nga çka mund të konkludohet se kemi një bilanc tregtar pozitiv”, sqaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një emision në TV 21.
“Sipas të dhënave mund të shohim se eksportojmë më shumë sesa importojmë. Ky është një tregues për respekt. Për më tepër, nëse e krahasojmë vitin e kaluar me vitin 2024 në tërësi, do të shohim se eksporti është rritur diku mbi 5%”, theksoi ministri.
Në paraqitjen e tij, ai sqaroi se të dhënat tregojnë qartë se shteti eksporton më shumë produkte bujqësore.
“Nuk mund t’i vendosim pijet në të njëjtën kategori. Kemi përpunime mishi dhe mish, por duhet ditur se në vend ekziston mungesë e mishit të shpezëve dhe atij të gjedhit, gjë që normalisht importohet. Problem është nëse diçka e prodhojmë, por megjithatë e importojmë”, shtoi ai.
Ministri theksoi gjithashtu se në kategorinë e ushqimit hyn edhe kakaoja, të cilën Maqedonia nuk e prodhon dhe për këtë arsye duhet të importohet.