Tri goditjet që Osmani ia dha Kurtit dhe LVV-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka goditur në të paktën tri raste, brutalisht Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

E para, Osmani tha se Kosovën e sollën në këtë situatë personat e rrezikshëm: “Neni 82 nuk thotë se presidenti mund të zgjedhet 30 ditë, thotë DUHET. Për këtë arsye në përputhje me nenin 82 dhe 86 kam vendosur ta shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve që do të mbajë me partitë politike. Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre, askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, kur vendi ka nevojë për stabilitet. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Shteti mbahet në këmbë me parimin: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues, e po ua kthejë fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit. Qytetarëve”.

E dyta, Osmani tha se disa po tentojnë t’i zvarrisin zgjedhjet: “Arsyeja pse jemi sot këtu nuk është dekreti im, sepse është formalitet që vjen pas një fakti të mirëqenë. Fakti është ky në mesnatë është mbyllur çdo mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, është çështje afatesh. Afatet kanë kaluar. Edhe nëse procesi do të vazhdonte tutje, edhe nëse do të pritej tutje, rezultati nuk ndryshon. Kemi hyrë në territor shumë të qartë. Pyetja është sa do të kenë sukses disa ti zvarrisin zgjedhjet, pyetja është kur janë zgjedhjet. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa, kanë nevojë për qartësi, kanë nevojë për institucione që funksionojnë, për politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”.

E treta, Osmani akuzoi se VV-ja mund të ndikojë në Gjykatë Kushtetuese: “Gjykata jonë ka praktikë të qartë. Bazuar në dispozitat e Kushtetutës nuk mund të aplikohet afati 60-ditor në nenin 82, pas afatit të përcaktuar në nenin 86 pika 2. Zgjedhja pas afatit 30-ditor është në kundërshtim me Kushtetutën. Ka praktikë të qartë të Gjykatës Kushtetues që kanë qartësuar më tej obligimin tim. Aktgjykimi 72/20 trajton në detaje kompetencën e presidentit edhe në rrethana kur i njëjti ka për detyrë ose diskrecion shpërndarjen e Kuvendit. Rrethanat e rastit specifik ndërlidhen me nenin 82 pika 2 të Kushtetutës, pra shpërndarjen e kuvendit pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë, por aktgjykimi trajton edhe në rrethana të tjera. Paragrafet 384 deri 386, Kushtetuta parasheh që nëse Kuvendi nuk arrin të kryejë detyrime të rëndësishme për të zgjedhur presidentin e republikës, Kuvendi duhet, duhet, të shpërndahet, me qëllim të krijimit të një Kuvendi të ri që do të mund të kryejë këto detyra të rëndësishme pas zgjedhjeve të tjera”, tha Vjosa Osmani.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo