Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një
takim me nxënëse të vitit të tretë nga Gjimnazi “Gjorgji Dimitrov” në Shkup, të cilat me
punën dhe kreativitetin e tyre tashmë po lënë gjurmë në nivel kombëtar.
Bëhet fjalë për Marija Tashevska, Jasemin Demirovska dhe Angela Ristovska, së
bashku me profesoreshën e tyre Marina Ivanova, të cilat në kuadër të lëndës “Të folurit
dhe të shkruarit” kanë realizuar një film dokumentar kushtuar rubinit maqedonas – një
temë që hap çështje të rëndësishme për pasuritë natyrore dhe minerale të vendit tonë.
Filmi i tyre u prezantua në festivalin shtetëror për film joprofesional, në organizim të
“Teknikës Popullore”, ku në konkurrencë me rreth 40 filma fituan çmimin e argjendtë –
një sukses që dëshmon për frymën hulumtuese dhe kureshtjen e sinqertë.
Ministrja Bozhinovska e përshëndeti iniciativën e tyre, duke theksuar se pikërisht këto
shembuj janë dëshmi se të rinjtë kanë potencial të njohin, hulumtojnë dhe promovojnë
vlerat e vendit të tyre.
„ Veçanërisht më gëzon që të rinjtë zgjedhin të flasin për tema që lidhen drejtpërdrejt
me burimet dhe pasuritë tona natyrore. Rubini maqedonas nuk është vetëm mineral – ai
është pjesë e identitetit tonë dhe një pasuri e vërtetë. Iniciativa të tilla duhet të
inkurajohen dhe të mbështeten, sepse dija dhe vetëdija fillojnë pikërisht nga gjeneratat e
reja”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në takim u theksua nevoja për më shumë edukim dhe përfshirje të të rinjve në tema që
lidhen me energjetikën, minierat dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, si
dhe rëndësia e pjesëmarrjes së tyre aktive në ndërtimin e politikave të ardhshme.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e hapur për mbështetjen
e iniciativave të tilla, të cilat jo vetëm promovojnë kreativitetin, por edhe forcojnë
vetëdijen për vlerat që posedon vendi ynë.





