Në sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, kanë mbetur të vrarë vajza të pafajshme, mes të cilave edhe 20 volejbolliste.
Informacioni fillimisht u publikua nga kanali televiziv “Al Mayadeen”, duke cituar burime lokale, e më pas lajmi u konfirmua edhe nga media të tjera.
Sulmi ka ndodhur në provincën Fars, dhe sipas të njëjtave burime, mes viktimave ka edhe fëmijë që ndodheshin në palestër në momentin e sulmit. Raportet fillestare flisnin për më shumë se 15 të vdekur, por më vonë numri i viktimave u rrit.
Me këtë rast ka reaguar edhe FIVB, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke dënuar vuajtjet e sportisteve të reja. Në deklaratë thuhet se FIVB është:
”E tronditur dhe jashtëzakonisht e shqetësuar nga raportimet se disa volejbolliste të reja në Iran kanë humbur jetën për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe rajonin më të gjerë.”
”U shprehim ngushëllimet tona më të ndjera familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo krizë në zhvillim,” thuhet në njoftim.
Gjithashtu shtohet se dhjetëra mijëra anëtarë të komunitetit të volejbollit në rajon janë zhvendosur dhe po përballen me një të ardhme të pasigurt.