Studentët, pika e kthesës apo nështrimit të plotë

Studentët, pika e kthesës apo nështrimit të plotë

Nga Sefer SELIMI
Lajmi se studentët janë vënë në lëvizje duke themeluar grup koordinues për organizimin e protestave është një sihariq për çdo shqiptar, madje edhe për ata funksionarë që sot janë në pushtet. Përpjekjet e tyre për të konfirmuar një të drejtë që u takon me Kushtetutë dhe me ligj – dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, bartin një peshë që shkon përtej këtij rasti konkret.
Nëse Ministri Filkov, qeveria dhe Kryeministri Mickoski arrijnë ta fusin gjuhën shqipe në labirintet e rregulloreve, akteve dhe ligjeve të veçanta për çdo institucion apo procedurë më vete, atëherë Gjykata Kushtetuese as nuk do të ketë nevojë ta abrogojë apo ta cungojë ligjin për gjuhën shqipe. Ai do të zbrazet nga përmbajtja përmes praktikës.
Praktikisht, nëse në këtë rast dalin të fituar Ministri Filkov, qeveria dhe Kryeministri Mickoski, gjuha shqipe nga gjuhë zyrtare do të kthehet në një gjuhë që zbatohet jo si obligim i sanksionuar me ligj, por si dëshirë, vullnet apo mëshirë politike e titullarit të institucionit.
Ligji për gjuhën shqipe edhe ashtu ka hasur në rezistencë të fortë nga shumë funksionarë dhe institucione shtetërore, duke nxjerrë në pah jo vetëm mosgatishmëri institucionale, por edhe urrejtje e shovinizëm ndaj identitetit shqiptar në këtë shtet. Tashmë kjo çështje ka fituar sensibilitet të lartë publik dhe cilado palë që del fituese, rezultati do të kthehet në praktikë afatgjatë.
Prandaj, të gjithë, përfshirë edhe partitë shqiptare në pushtet, ua kanë borxh fëmijëve të tyre të qëndrojnë në krah të studentëve. Ndërsa ne të tjerët duhet t’u bashkëngjitemi dhe t’i mbështesim në çdo formë e mënyrë që ata do ta konsiderojnë të nevojshme.
Mund të ndodhë që pritshmëritë tona ndaj studentëve të jenë të mëdha. Por në një shoqëri që është shurdhuar dhe qorruar nga interesi, kalkulimet dhe komoditeti, ata mbeten shpresa e vetme që mund të na trimërojë edhe neve të tjerëve – e në radhë të parë profesorët e tyre.
Me shpresë dhe besë, #MeStudentët!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo