Shkruan: Merxhan Jakupi
Ballkani nuk është Lindja e Mesme, me pasuri nëntokësore, ar të zi. Nuk është Grenlanda, me minerale të çmuara. Nuk është as Donbasi dhe provincat e tjera me minerale të pasura të Ukrainës, që i ka okupuar dhe aneksuar Kremlini.
Në Bosnje, në vitet 90-ta kur filloi lufta, ka pasur një batutë. Hasa në një kodër të Sarajevës kishte dalë me kazmë dhe kishte filluar të gërmonte tokën. Shoku i tij, Husa, e pyet: “ Haso, çka je duke bërë këtu?” Haso i thotë Husos: “Jam duke gërmuar tokën, po kërkoj ar të zi”.
Një diplomat irakian i thotë një homologu perëndimor: “Më mirë të kishin arabët banane se ar të zi”.
Për ta kuptuar se pse Ballkani ka mbetur i trazuar dhe fuçi baruti, duhet të kthehemi në të kaluarën, në histori, ndërkohë që duhet të kemi parasysh krijimin e shteteve nacionale (shtetit-komb), shpërbërjen e dy perandorive, asaj osmane dhe Austro-Hungareze, më pas luftërat ballkanike 1912–1913, dhe në fund, luftërat 10-vjeçare ballkanike të fund-shekullit XX.
Në Ballkanin Perëndimor, pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, shtetet e dala nga kjo ish-federatë, Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, kanë mbetur shtete me një paqe hibride, tranzicion të pambaruara dhe me deficit.
Situata jo stabile dhe komplekse në të gjitha këto shtete është duke vazhduar. Bosnja ka mbetur shtet i dështuar. Lideri i Republika Srpska-s, Millorad Dodik, vazhdon me diskursin politik secesionist, duke kërkuar shkëputje nga Federata boshnjake. Kroatët, të pakënaqur, vazhdojnë indirekt ta përkrahin Dodikun. Ky komunitet i vogël kroat kërkon të jetë entitet i tretë, pas boshnjakëve dhe serbëve.
Situatë kontradiktore dhe e brishtë vazhdon të mbetet në Mal të Zi, pas ardhjes në pushtet të subjekteve, të partive politike serbe. Në Mal të Zi ka mbi 30 për qind të komunitetit serb. Këto forca politike pro-serbe dhe pro-ruse janë nën ndikimin e agjendës dhe impaktit të politikës së Beogradit dhe të Moskës.
Republika e Maqedonisë së Veriut, pas ardhjes në pushtet të partive nacionaliste të së djathtës konservatore, VMRO, nën udhëheqjen e liderit Kristijan Mickoski, vazhdon të ndjekë diskursin dhe doktrinën politike të mentorit të tij, Nikolla Gruevski. Ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhet me kontekstin historik. Bullgaria pengon Maqedoninë e Veriut, përmes vetos, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Aneksi i marrëveshjes së Ohrit mes Serbisë dhe Kosovës ka pësuar fiasko. Aleksandar Vuqiq vazhdon me status quo. Vuqiq ka deklaruar se nuk do ta njohë Kosovën as de jure dhe as de facto. Marrëdhëniet edhe më tej kanë mbetur të ngrira. Serbia vazhdon të armatoset, duke blerë armë të sofistikuara nga Rusia. Avionë ushtarakë ka blerë nga Franca dhe dronë nga Kina. Ky armatim i Serbisë nënkupton thyerje të ekuilibrit dhe rrezik në rajon.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë së cunguar të Sllobodan Millosheviqit, ku më së fundi u shkëputën dhe shpallën pavarësinë Mali i Zi dhe Kosova, Serbia si shtet me etnitete të shumta akoma është heterogjene dhe multietnike. Vojvodina, Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës janë të banuara me shumicë nga komunitete hungareze, boshnjake dhe shqiptare.
Po të analizojmë një skenar, përsëritjen e një lufte si në luftërat pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave gjatë viteve 90-ta, ky skenar është i vështirë të ndodhë. Serbia nuk është një shtet i fuqishëm ushtarak, siç ishte në ish-federatën jugosllave. Serbia e trashëgoi dhe uzurpoi gjithë armatimin e ushtrisë jugosllave.
Nuk ka strategji as forcë ushtarake për të vazhduar një luftë aventureske me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Serbia, gjithashtu, është e rrethuar me armiq tradicionalë, si kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Këta popuj, fatkeqësisht, akoma vazhdojnë urrejtjen dhe hasmërinë me serbët. Shumica e këtyre popujve ende nuk i kanë shëruar plagët e luftërave ballkanike 10-vjeçare të fund-shekullit XX.
Një luftë dhe një skenar i tillë nuk e dëshirojnë shumica e popujve të Ballkanit Perëndimor, por as shumica e popullit serb.
Në dy Jugosllavitë e mëparshme, Mbretërinë Jugosllave dhe Federatën Jugosllave, të gjithë serbët jetonin në një shtet. Në të dy Jugosllavitë, serbët kanë qenë faktor dominues. Kanë qenë hegjemonë dhe unitarë në këto dy shtete. Pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, serbët mbetën të ndarë në katër shtete. Ata pësuan tragjedi, një episod dhe skenar të ngjashëm si shqiptarët. Lideri serb, i ndjeri Zoran Gjinxhiq, ky lider ballkanik, karizmatik dhe eurocentrik, në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung kishte shkruar se pas dërgimit në Hagë të Sllobodan Millosheviqit dhe liderëve të tjerë kriminelë, në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor do të fillonte një erë e re. Ai shkruante se Serbia në fund do të bëhej anëtare e NATO-s dhe do të hynte në familjen evropiane së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Serbi, pas atentatit ndaj Zoran Gjinxhiqit, u pa se edhe pas dërgimit në Hagë të kriminelëve serbë për vrasje masive dhe gjenocid, doli dhe u bë e qartë se ideologjive dhe projekteve e memorandumeve dhe të “Botës serbe” iu ishin prerë vetëm degët. Rrënjët e kësaj ideologjie mbetën të thella dhe të paprera.
Kjo doktrinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike po vazhdon edhe pas tre dekadave. Lideri nacionalist, autokrat dhe populist, Aleksandar Vuqiq dhe elita politike serbe kanë ndryshuar diskursin dhe impaktin politik: “Ne nuk do të bëjmë luftë si më parë”.
Një analist serb, Aleksandar Popoviq, në një podcast tha se nacionalistët serbë, së bashku me elitën politike, janë duke pritur ndryshime tektonike të një rendi të ri botëror. Rikthimi i Rusisë dhe Kinës në skenën ndërkombëtare do të thotë se Amerika nuk do të jetë më “xhandari” i vetëm që kontrollon globin. Dalja në skenën globale e dy fuqive, Rusisë dhe Kinës, sipas këtij këndvështrimi, në fund do të ndikojë edhe në Ballkan, duke ndryshuar doktrinën gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Sign in
Sign in
Recover your password.
A password will be e-mailed to you.
Trending
- Zgjidhet Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zyrtarisht kryepolici vendit
- Ibishi: Kthehu Artan Grubi se na mori lumi…
- Digjen dy automjete në Gjevgjeli
- Çështja e presidentit, Kurti i gatshëm të ftojë në takim liderët opozitarë
- Gostivar, arrestohet një grua për dhunë ndaj vjehrrës
- Pse VMRO po e minon procesin e integrimit në BE?
- Serbia sërish në kaos, përplasje gjatë zgjedhjeve! Gazetarja jep detaje
- Në Kodrën e Diellit shtresa e borës është 59 centimetra
- Qeveria e Kosovës miraton vendimin: Ndahen 500 mijë euro për lojtarët e kombëtares
- Prokuroria mirëpret reagimin e “Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve dhe SHGM-së”