Sorensen: Kurti është zotuar ta amendamentojë ligjin për të huajt, prioritet lejet për punëtorët dhe studentët për një afat 12-mujor

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen në një konferencë për shtyp të shtunën pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Ligjit dhe përpjekjet për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.

Ai ka theksuar se procesi i ndryshimeve ligjore kërkon kohë, por ka vlerësuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e kryeministrit Albin Kurti për amandamentimin e Ligjit pa ndërprerë ofrimin e shërbimeve publike.

“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken”, tha Sorensen.

“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”, tha ai.

Sorensen gjithashtu theksoi rëndësinë e konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit serb për të siguruar pajtimin e tyre dhe zbatimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha ai.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars. /Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo