Shtrenjtohet buka në më shumë qytete? Malishiq: Kostot janë rritur mbi 10%, çdo furrë vendos vetë çmimin
Buka po shtrenjtohet në disa qytete të vendit. Në disa furra në Shtip, Koçan, Prilep dhe Manastir pritet që çmimi i disa llojeve të bukës të rritet nga nesër, ndërsa diku kjo rritje ka ndodhur tashmë. Njoftohet se çmimi i bukës së bardhë prej 450 gramësh do të rritet në disa furra nga 3 deri në 5 denarë. Informacioni ka arritur edhe te Grupacioni i industrisë së mullirit dhe bukëpjekjes pranë Dhomës së Tregtisë, por ata theksojnë se çdo furre vendos individualisht për çmimet.
“Ne kemi informacion se disa furra të veçanta, anëtare ose jo, kanë rritur çmimet. Për shembull, në Manastir një furre ka rritur çmimin, ndërsa furrat e vogla të Shtipit nuk kanë dashur ta rrisin, nuk dihet pse. Por informacioni qarkullon dhe ne e marrim. Kjo krizë ndikon në çmimet e prodhimit të bukës dhe produkteve të tjera të furrës, dhe nëse vazhdon, rritja e kostove është e pashmangshme. Është e pashmangshme që furrtarët, secili individualisht sipas vlerësimit të vet, të rrisin çmimin ose, nëse mendojnë ndryshe, të mos e rrisin atë”, tha Goran Malishiq, industria e mullirit dhe bukëpjekjes.
Me konfliktin në Lindjen e Mesme, sipas Malishiqit, janë rritur kostot për furnizimin me lëndë të parë, prodhimin dhe shpërndarjen.
“Gjithçka varet nga rezervat që kanë në dispozicion dhe sa ndikojnë furnizimet e reja në çmime. Rritja duhet të jetë rreth dhjetë për qind ose më shumë. Natyrisht, kjo ndikon në tre segmentet kryesore të prodhimit: furnizimin, pjekjen dhe shpërndarjen. Pra, çmimi pritet të lëvizë afërsisht në këtë drejtim. Por nuk mund të them saktësisht sa do të jetë rritja, pasi kjo varet nga kompanitë”, shtoi Goran Malishiq, industria e mullirit dhe bukëpjekjes .
Rritja e çmimeve të bukës vjen pas shtrenjtimit të vajit dhe vezëve, si dhe të frutave dhe perimeve. Ekspertët dhe biznesi kanë paralajmëruar se rritja e çmimit të karburanteve do të nxisë spiralen e inflacionit dhe do të ketë korrigjime edhe në çmime të tjera, duke kërkuar nga Qeveria të marrë masa urgjente për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Nga ana tjetër, Qeveria thotë se situata po ndiqet me kujdes dhe, nëse paraqitet nevoja, do të ndërmerren masa të reja.