Shkëndija reagon ashpër: “Mjaft me padrejtësitë, kampionati po vendoset në tavolinë – Do të njoftojmë UEFA-n”
Klubi Futbollistik Shkëndija ka lëshuar një komunikatë zyrtare shpërthyese pas ndeshjeve të xhiros së 22-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut (LPFMV), duke akuzuar drejtpërdrejt arbitrat dhe Federatën për favorizim të qëllimshëm të rivalëve dhe dëmtim të integritetit të garës.
Fundi i durimit: “Heshtja u interpretua si dobësi”
Nga tabori kuqezi thonë se kanë pritur gjatë që institucionet të reflektojnë, por ndodhitë në ndeshjet Shkëndija-Brera dhe Sileksi-Vardari kanë qenë “kufiri i fundit”. Sipas klubit, vendimet skandaloze të arbitrave po favorizojnë në mënyrë të përsëritur KF Vardar, duke krijuar një perceptim të rrezikshëm për administrimin e ligës nga ana e FFM-së.
Investimet private në rrezik
Në reagimin e tyre, Shkëndija rikujton se klubi mbahet nga investime private dhe sakrifica e pronarëve, e jo nga paratë e shtetit apo komunës.
“Investimet në KF Shkëndija janë mundi dhe sakrifica jonë për të ndërtuar një klub serioz që përfaqëson denjësisht vendin në garat ndërkombëtare. Nëse kjo qasje e pabarabartë vazhdon, ne do të jemi të detyruar të vëmë seriozisht në pikëpyetje vazhdimin e investimeve tona në këtë ambient,” thuhet në komunikatë.
UEFA do të informohet për “pazaret” në tavolinë
Klubi tetovar ka paralajmëruar se nuk do të ndalet me kaq. Ata do të informojnë zyrtarisht institucionet ndërkombëtare, përfshirë UEFA-n, për rrjedhën e kampionatit vendas. Mesazhi i tyre është i qartë: Shkëndija nuk kërkon favorizim, por kushte të barabarta.
”Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë. Shkëndija nuk kërkon asgjë më shumë se kaq!” – përfundon reagimi i klubit.