Forcat amerikane shpenzuan rreth 800 milionë dollarë, ose afërsisht 0.1% të buxhetit të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2026, gjatë 24 orëve të para të ofensivës kundër Iranit, sipas vlerësimeve dhe të dhënave të përpiluara nga “Anadolu Agency”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se dislokimi masiv përfshinte bombarduesit stealth B-2, avionët luftarakë F-22, F-35 dhe F-16, avionët sulmues A-10, si dhe avionët për luftë elektronike EA-18G. Operacioni përdori gjithashtu dronë MQ-9 Reaper, aeroplanmbajtëse me energji bërthamore si dhe sistemet e mbrojtjes raketore Patriot dhe THAAD.
Katër bombardues B-2, që fluturuan pa ndalesë nga baza ajrore Whiteman në shtetin amerikan të Missourit, goditën objektiva duke përdorur municion 907 kilogramësh. Të njohur për kërkesa të larta mirëmbajtjeje dhe kapacitet ngarkese deri në 18,143 kilogramë, operacionet vetëm me B-2 llogaritet të kenë kushtuar rreth 30.2 milionë dollarë, bazuar në orët e fluturimit, kostot e mirëmbajtjes dhe shpenzimet për municion.
Sipas një postimi të CENTCOM-it në “X”, formacioni i avionëve luftarakë F-18, F-16, F-22 dhe F-35 kontribuoi në goditjet fillestare. Duke u bazuar në të dhënat për orët e fluturimit, mirëmbajtjen dhe municionin nga kërkesat buxhetore të viteve 2025 dhe 2026, këto misione llogaritet të kenë kushtuar rreth 271.3 milionë dollarë.
Avionët e specializuar, përfshirë EA-18G Growler, A-10C Thunderbolt dhe dronët MQ-9 Reaper, luajtën rol kyç së bashku me sistemin e sulmit pa pilot (LUCAS). Kur përfshihen edhe avionët patrullues detarë P-8, avionët zbulues RC-135 dhe cisternat ajrore për furnizim me karburant, si dhe bateritë tokësore HIMARS, kostoja e kombinuar e mjeteve ajrore dhe tokësore, përfshirë avionët luftarakë, arriti në rreth 423.5 milionë dollarë.
Dy grupet amerikane të aeroplanmbajtëseve në rajon, USS Abraham Lincoln dhe USS Gerald R. Ford, morën gjithashtu pjesë në sulm. Kostoja e operimit të aeroplanmbajtëseve, së bashku me shkatërruesit dhe anijet luftarake bregdetare që i shoqëronin, vlerësohet në rreth 15 milionë dollarë në ditë.
Për më tepër, CENTCOM-i publikoi video që tregonin marinën amerikane duke lëshuar dhjetëra raketa lundruese Tomahawk. Edhe pse numri i saktë mbetet i klasifikuar, vlerësohet se janë lëshuar rreth 200 raketa Tomahawk, me një kosto totale prej rreth 340.4 milionë dollarësh vetëm për municionin.
Duke i kombinuar të gjitha këto shpenzime, kostoja totale e vlerësuar e sulmeve amerikane të kryera vetëm të shtunën arrin në 779.1 milionë dollarë, ose rreth 0.1% e buxhetit të mbrojtjes së SHBA-së për vitin 2026.