Seancë e jashtëzakonshme e Trupit Koordinues Kombëtar – do të formohet grup pune për të ndryshuar dhe plotësuar disa ligje
Trupi Koordinues Kombëtar për Zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, i kryesuar nga Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, mbajti një seancë emergjente në një përbërje të zgjeruar, me praninë e Ministrit të Brendshëm, Toshkovski, Zëvendësministrit të Drejtësisë, Dereban, përfaqësuesve të Prokurorisë Publike, Gjykatës Themelore, ekspertëve të fushës, organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve kompetente.
Urgjenca vjen si pasojë e ngjarjes së fundit tragjike në të cilën humbën dy jetë, dhe me qëllim marrjen e masave dhe aktiviteteve specifike nga të gjitha institucionet kompetente, që synojnë parandalimin dhe përmirësimin e mbrojtjes së viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve.
Në këtë seancë u shqyrtuan edhe përfundimet e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me pjesëmarrjen e institucioneve kompetente dhe organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit akademik që punojnë në fushën e dhunës në familje. Në këtë aktivitet u dhanë rekomandime dhe aktivitete specifike që duhen ndërmarrë, të cilat synojnë forcimin e sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave, si dhe ndjekjen penale të autorëve të krimeve.
Në seancën e TKK-së, u miratuan konkluzione për krijimin e një grupi pune që do të përgatisë ndryshime dhe plotësime urgjente në disa ligje, me qëllim përmirësimin e koordinimit institucional dhe forcimin e sistemit për mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe dhunës në familje.
Një nga konkluzionet e kësaj seance është formimi i një grupi pune me përfaqësues nga të gjitha institucionet përkatëse dhe organizatat e shoqërisë civile: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPPSR), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Ministria e Drejtësisë (MD), Organizatat Joqeveritare (OJQ), Gjykatat Kompetente, Prokuroria Publike, përfaqësues nga komuniteti akademik dhe Parlamenti në përputhje me Rregulloren e Punës së Trupit Koordinues Kombëtar (TKK) për përgatitjen e një Projekt-Ndryshimeve dhe Plotësimeve të këtyre ligjeve:
Ligji për kompetencat policore;
Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje;
Ligji për Mbrojtjen Sociale;
Ligji për Drejtësinë për Fëmijë;
Ligji për Ndihmën Juridike Falas;
Ligji për Procedurën Penale;
Ligji për Procedurën Civile dhe
Ligji për Pagesën e Kompensimit në të holla të Viktimave nga Veprat Penale me Dhunë
Ndryshimet e propozuara duhet t’i paraqiten Trupit Koordinues Kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur.
Seanca gjithashtu arriti në përfundimin se duhet të parashikohen masa dhe aktivitete specifike për të përmirësuar sistemin për mbrojtjen e grave viktima të dhunës, të cilat do të jenë pjesë e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje.



