Saveski po ndanë kompetencat, Ristoska nuk do të punojë në rastin “Talir”

Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, sot në një brifing me gazetarët njoftoi se nga nesër do të bëjë tërheqje të plotë të të gjitha autorizimeve të dhëna për veprim ndërmjet prokurorive, përveç në Koçan, Kriva Pallankë dhe Resnjë, ku për shkak të mungesës së prokurorëve autorizimet duhet të mbeten aktive. Ai theksoi se të gjithë prokurorët do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa favorizime, ndërsa sa i përket rastit për “Koçanin” do të ketë trajtim të veçantë institucional për shkak të kompleksitetit të tij të jashtëzakonshëm.

Ndër rastet që indirekt do të preken nga kjo vendimmarrje janë edhe “Talir 1” dhe “Talir 2”, për të cilat deri më tani ishte e autorizuar prokurorja Lençe Ristoska. Edhe pse Saveski theksoi se nuk bëhet fjalë për masë të targetuar, ai nuk e përjashtoi mundësinë që këto raste të rishpërndahen.

“Nuk kam marrë vendim për përjashtimin e Ristoskës nga raste konkrete. Megjithatë, do t’i tërheq të gjitha autorizimet në të gjitha rastet, përveç atyre për Koçanin, Resnjën dhe Kriva Pallankën”, deklaroi Saveski.

Duke iu përgjigjur pyetjes për vendimet e fundit të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe për ndryshimet në përbërjen e prokurorëve që trajtojnë raste sensitive, Saveski tha se lidhja personale e prokurorëve me raste konkrete është “praktikë e gabuar” dhe se vazhdimësia e procedurave duhet të sigurohet përmes kapacitetit institucional, e jo personal.

“Prokurori publik është kategori e ndryshueshme. Rasti duhet të ketë vazhdimësi pavarësisht nëse prokurori rizgjidhet apo jo”, theksoi Saveski, duke shtuar se çdo prokuror ka obligim të përballet me sfidat e punës, përfshirë edhe marrjen e rasteve tashmë aktive.

Duke folur për vazhdimësinë e rasteve që i udhëhiqte prokurorja Ivana Trajçeva, të cilat lidhen me zyrtarë policorë dhe tragjedinë në Koçan, Saveski theksoi se nuk duhet të krijohet përshtypja se vetëm një prokuror mund të sigurojë trajtim cilësor.

“Ivana është një prokurore e shkëlqyer. Respekti im për punën e saj është i njohur. Por prokuroria nuk duhet të varet nga një person i vetëm”, tha ai.

Në pjesën që lidhet me Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili njëzëri e hodhi poshtë iniciativën e prokurores Lençe Ristoska – e cila pretendonte se ndaj pavarësisë së saj profesionale po ushtroheshin ndikime dhe presione të jashtme – Saveski theksoi se ajo është e vetmja deri tani që është thirrur në mundësinë ligjore për të kërkuar mbrojtje të integritetit. Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për presione politike, por për një procedurë të parashikuar në ligj për raste kur strukturat e sipërme mund të rrezikojnë veprimin e pavarur të prokurorit.

“Integritetin prokurori e mbron vetë, me veprimet e tij. Por në ligj ekziston një mekanizëm dhe kjo është një e drejtë legjitime. Këshilli e shqyrtoi dhe formoi qëndrim. Argumentet për këtë, për mua, ishin të pranueshme”, tha Saveski.

Sa i përket rasteve sensitive, ai deklaroi se nuk pret vonesa apo rënie të cilësisë dhe se prokurorët që do t’i marrin rastet do të jenë të përgatitur të përshtaten me proceset ekzistuese. Si shembull, ai përmendi se deri tani ka pasur shumë situata kur prokurorë kanë marrë raste komplekse në fazë të avancuar dhe kanë arritur t’i vazhdojnë me sukses.

Saveski njoftoi edhe rregullimin e sistemit të autorizimeve në prokurori. Sipas tij, ai ka gjetur një “gjendje kaotike” me shumë autorizime të dhëna dhe të tërhequra pa një evidencë të unifikuar. Ai paralajmëroi se të gjitha autorizimet do të tërhiqen dhe do të rishqyrtohen, përveç atyre në Koçan, Kriva Pallankë dhe Resnjë, ku për shkak të mungesës së prokurorëve është e nevojshme vazhdimi i modelit aktual.

Ai theksoi se për rastet me interes të lartë publik, si dhe për rastet aktuale që lidhen me aksidente të rënda dhe krim të organizuar, do të sigurohet procedim i pandërprerë. Ai shtoi se nuk do të lejojë të krijohet përshtypja se ndonjë rast ka mbetur pa prokuror.

“Asnjë rast nuk do të mbetet pa përfaqësim. Do të ketë prokuror për çdo rast”, tha Saveski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për shtyrjen e seancave në disa raste sensitive.

Sa i përket deklaratave politike dhe akuzave publike, ai theksoi se prokuroria publike nuk vepron sipas thirrjeve politike dhe se kallëzimet penale trajtohen sipas detyrimeve ligjore, jo sipas presionit publik.

Ai shtoi se mbështet digjitalizimin e proceseve, në mënyrë që çdo prokuror të vlerësohet mbi bazë të parametrave të matshëm – dinamika e punës, cilësia e vendimeve, kompleksiteti i rasteve dhe rezultatet.

Saveski u ndal edhe te rastet ku raportet e auditimit shërbejnë si bazë për kallëzime penale, duke theksuar se Enti Shtetëror i Revizionit bashkëpunon rregullisht me prokurorinë dhe se për çdo rast të raportuar veprohet nëse ekzistojnë indicie për vepër penale.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo